Në Skenderaj janë publikuar pamjet e para nga transformimi i tri ndërtesave sociale, pjesë e një projekti që synon përmirësimin e kushteve të jetesës dhe kursimin e energjisë për banorët.
Ekipet në terren janë duke punuar që çdo detaj të përmbushet sipas kritereve të përcaktuara nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE).
Përveç Skenderajt, punimet po zhvillohen edhe në 25 ndërtesa të tjera në 12 komuna të Kosovës. Në total, janë 28 ndërtesa në 13 komuna ku po zbatohen masa të efiçiencës së energjisë.
Ky projekt zbatohet nga FKEE me mbështetje prej 90% në formë granti nga Bashkimi Evropian përmes Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe 10% pjesëmarrje nga vetë komunat përfituese. Qëllimi është jo vetëm përmirësimi i infrastrukturës banesore, por edhe reduktimi i konsumit të energjisë dhe mbështetja e kategorive sociale në përballimin e kostove të jetesës.