Home / Lajme / Rrjeti elektrik / KEDS ndërron shtyllat e djegura nga zjarret në Lipjan, apel për kujdes ndaj infrastrukturës energjetike

KEDS ndërron shtyllat e djegura nga zjarret në Lipjan, apel për kujdes ndaj infrastrukturës energjetike

Në kuadër të punëve të vazhdueshme në rrjetin energjetik, KEDS ka intervenuar në Lipjan për të zëvendësuar katër shtylla druri që ishin djegur si pasojë e zjarreve të shkaktuara nga persona të papërgjegjshëm. Shtyllat u zëvendësuan me ato prej betoni, për të garantuar qëndrueshmëri dhe siguri më të lartë në rrjetin e shpërndarjes.

Zjarret në fusha, veçanërisht në zonat ku kalojnë linjat e tensionit, përveç dëmit të madh që i shkaktojnë ambientit dhe rrezikut për jetën e njerëzve, po dëmtojnë rëndë edhe infrastrukturën energjetike në vend. KEDS ka theksuar se rastet e tilla ndikojnë drejtpërdrejt në ndërprerje të energjisë për qindra konsumatorë dhe kërkojnë orë të tëra pune për rikthimin e furnizimit.

Përmes një reagimi, kompania u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar, sidomos gjatë muajve të nxehtë të verës, kur rreziku nga zjarret është më i madh. Dëmtimi i aseteve energjetike përbën rrezik për sigurinë publike dhe rëndon buxhetin dhe kapacitetet operacionale të sektorit.

KEDS ka rikonfirmuar përkushtimin për të garantuar furnizim të qëndrueshëm dhe siguri në rrjet, por ka theksuar se bashkëpunimi i qytetarëve mbetet thelbësor në këtë drejtim.