Volkswagen e tejkaloi Tesla’n në shitjet e automjeteve elektrike në Evropë në gjysmën e parë të vitit, treguan të dhëna të reja.
Shifrat e shitjeve për Tesla në Evropë nuk duken mirë. Pas gjashtë muajve të parë të këtij viti, prodhuesi amerikan i veturave elektrike regjistroi një rënie prej 33 për qind në Bashkimin Evropian, tregjet e EFTA-s dhe Mbretërinë e Bashkuar, treguan shifrat paraprake nga platforma Data Force.
Për shkak të kësaj, kompania Tesla humbi titullin e prodhuesit të automjeteve elektrike me shitjet më të mira në rajon, dhe mbreti i ri është Volkswagen si markë, jo si grup. Nga janari deri në qershor, 107,878 vetura elektrike Tesla u shitën në rajon, ndërsa Volkswagen shiti 133,465 automjete të këtij lloji, duke shënuar një rritje të madhe prej 78 për qind krahasuar me vitin e kaluar.
Me fjalë të tjera, Volkswagen shiti 24,587 vetura elektrike më shumë se Tesla, duke siguruar një pozicion të fortë si lider në rajon. Ky është një fitore e madhe për markën legjendare, por kjo nuk është e gjitha.
BMW, Škoda dhe Renault arritën rezultate të mira në gjysmën e parë të vitit. BMW është marka e tretë më e shitur në Evropë me 93,576 vetura elektrike të shitura, pra 14 për qind më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Falë popullaritetit të madh të Elroq dhe Enyaq të ripërtërirë, Škoda regjistroi një rritje të jashtëzakonshme të shitjeve prej 146 për qind, pasi shiti gjithsej 70,947 automjete elektrike nga janari deri në qershor. Renault rriti shitjet e automjeteve elektrike me 58 për qind, kryesisht falë modelit retro Renault 5.
Më herët këtë vit, drejtori ekzekutiv i Tesla’s, Elon Musk, tha se kompania po shihte një “rimëkëmbje të madhe të kërkesës” pasi fabrikat e saj ishin “në pritje” në tremujorin e parë për shkak të përmirësimeve të mjeteve të nevojshme për të nxjerrë në treg Model Y të ripërpunuar. Megjithatë, kjo nuk ka ndodhur ende në SHBA, Evropë dhe Kinë.
Tesla ishte kompania më e suksesshme në shitjen e automjeteve elektrike në Evropë në qershor, por kjo nuk mjaftoi për të zënë vendin e parë në listë duke regjistruar rezultatet për gjysmën e parë të vitit. Në fakt, ajo nuk ishte as në 5 vendet e para dhe është e vetmja kompani që regjistroi rënie. Marka amerikane shiti 32,605 vetura, që do të thotë një rënie prej 21 për qind të shitjeve krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar në Evropë. Ndërkohë, Volkswagen regjistroi një rritje prej 9, BMW prej 16, Škoda prej 189 dhe Renault prej 22 për qind.
Veturat elektrike më të shitura në Evropë në periudhën janar-qershor ishin Tesla Model Y, Tesla Model 3, Volkswagen ID.4, Volkswagen ID.7 dhe Volkswagen ID.3.
Në total, tregu evropian i automjeteve elektrike u rrit me 24 për qind krahasuar me vitin e kaluar, nga 944,858 automjete në gjysmën e parë të vitit 2024 në 1,177,051 automjete në të njëjtën periudhë të këtij viti.
/Motilokal.com