Home / Lajme / Rajoni / Parqet fotovoltaike në Shqipëri: një treg i mbyllur licensash, projekte që nuk ndërtohen dhe mungesë totale transparence

Parqet fotovoltaike në Shqipëri: një treg i mbyllur licensash, projekte që nuk ndërtohen dhe mungesë totale transparence

ERE ka dhënë mbi 64 licensa për projekte që nuk ndërtohen, por shiten si letra me vlerë për pasurim dhe pastrim parash, shkruan Pamfleti.

Në një kohë kur Shqipëria reklamon para donatorëve dhe Bashkimit Europian se po përshpejton tranzicionin energjetik, Enti Rregullator i Energjisë (ERE) ka shndërruar licencat për prodhim energjie nga dielli në një instrument spekulimi financiar. Ajo që duhet të ishte një reformë drejt burimeve të qëndrueshme, po shndërrohet në një skemë për pasurim të një rrethi të vogël biznesmenësh të lidhur me politikën, me bekimin e heshtur të qeverisë dhe mungesën totale të llogaridhënies.

ERE ka dhënë mbi 64 licenca për impiante fotovoltaike deri në prill të vitit 2025. Gati të gjitha për projekte të vogla, nën 2 MW, me një çmim të garantuar të blerjes së energjisë prej 95.04 euro/MWh. Kjo skemë, e konceptuar për të nxitur investime reale, është kthyer në treg për leje të rishitshme, ku aplikantët nuk ndërtojnë asgjë, por thjesht presin t’ia shesin lejen një operatori më të madh, me një premium fitimi.

Kjo nuk është zhvillim energjetik. Është trafikim lejesh. Ky proces nisi si një hap inovativ i Ministrisë së Infrastrukturës për të përshpejtuar zhvillimin e energjisë së rinovueshme në përputhje me direktivat e BE-së. Por, në mungesë të kontrollit të duhur nga ERE u kthye shumë shpejt në një skemë të deformuar nga vetë entet rregullatore. Në vend që të filtrojnë aplikimet sipas kapaciteteve reale, ERE dhe strukturat e saj kanë abuzuar me të drejtën për të dhënë licenca, duke hapur rrugën për spekulim, klientelizëm dhe pastrim parash.

Rasti i fundit i projektit 834-hektarësh në Kaninë është dëshmi e re e kapjes së tokës për llogari të interesave të padeklaruara energjetike. Pavarësisht kundërshtimit të banorëve dhe shqetësimeve për zhdukjen e ekonomisë blegtorale të zonës, Bashkia e Vlorës po shtyhen drejt miratimit të një marrëveshjeje me kushte të errëta, e dyshuar si e lobuar direkt nga një oligark i afërt me qeverinë. Sipas burimeve mediatike, vetë kryeministri Edi Rama ka ushtruar presion ndaj kryebashkiakut të Vlorës për të çuar përpara procedurat e dhënies së tokës, pavarësisht kundërshtimit të komunitetit dhe mungesës së transparencës, duke detyruar në mënyrë të drejtpërdrejtë institucionin vendor të procedojë përkundër interesit publik

Emrat që dominojnë në regjistrin e licencave janë të njëjtit.

Gerian Kuke është përfshirë përmes subjekteve si AGE Sunpower, SONNE dhe AED Solar. Ai ka marrë disa nga lejet më të favorshme dhe i konsiderohet si një prej përfituesve më agresivë të skemës. Emri i tij përmendet vazhdimisht në aplikime të lidhura me njëra-tjetrën, dhe bashkëpunëtorët e tij janë aktivë në tregun informal të shitjes së licencave.

Agim Zeqo, i përfolur si një prej të preferuarve të qeverisë, ka ndërtuar një profil të tërë biznesesh në sektor pa asnjë histori prodhimi real. I njohur për rolin e tij si ndërmjetës i heshtur në tendera të tjerë publikë, Zeqo ka siguruar disa licenca për projekte 2 MW që nuk ekzistojnë në terren dhe janë të pozicionuara për t’u shitur te operatorë të tjerë.

Nikolin Jaka, me kompaninë “Alb Sun Energy”, është një tjetër përfitues i drejtpërdrejtë i këtij sistemi. Kompania e tij është krijuar me kapital minimal, vetëm 100 lekë, por ka përfituar një licencë të vlefshme për dhjetëra mijëra metra katrorë dhe ka marrë tokë publike me qira në bashkëpunim me zyrtarë vendorë. Në mungesë të kapaciteteve teknike, financiare dhe përvoje në sektor, leja e dhënë për “Alb Sun Energy” është një provë e qartë e degradimit të standardeve të ERE-së.

Ish deputeti Lulzim Kapllanaj kontrollon Construction Energy Parts, Hydropower dhe Dimax Albania.

Të gjitha këto struktura i shërbejnë të njëjtit qëllim: përfitimit të licencave 2 MW përmes mekanizmave të thjeshtëzuar dhe për t’i pozicionuar ato si asete për shitje. Kapllanaj, një ish-kryetar bashkie dhe figurë politike, është shembulli klasik i ndërthurjes së pushtetit lokal me përfitimin ekonomik.

Familja Leskaj, përmes strukturave si SPV Blue 1 dhe Blessed Investment, ka përfituar një park 50 MW që ndodhet në letër. Projekti ka kaluar në ankand, por nuk ka progres të raportuar në ndërtim. Edhe pse ky është një projekt më i madh, mungesa e aktivitetit pas dhënies së licencës ngre pikëpyetje për seriozitetin e implementimit.

Kail Energy, përfituesja kryesore e 4.3 milionë metër katrorë tokë publike në Bashkinë Kolonjë, është një kompani pak e dokumentuar në publik. Mungon transparenca për strukturën pronësore dhe kapacitetet reale të saj. Vetë fakti që një kompani e panjohur merr një sipërfaqe të tillë pa garë, është tregues i një vendimmarrjeje të njëanshme dhe të dyshimtë.

X One është kompania që ka përfituar më shumë tokë publike në Shqipëri për projekte fotovoltaike – mbi 5.5 milionë m² në Bashkinë Poliçan. Kjo kompani nuk ka aktivitet të njohur në fushën e energjisë dhe nuk ka kryer asnjë ndërtim real. Tokat janë dhënë me qira në procedura të mbyllura, pa transparencë dhe pa konkurrencë.

Shumë nga këta operatorë nuk kanë as histori prodhimi, as përvojë teknike në energji. Ajo që i bashkon është marrëdhënia me shtetin, kapaciteti për të marrë tokë publike nga bashkitë dhe qasja në ERE për të siguruar leje. Përfitimi nuk qëndron tek ndërtimi i centraleve, por tek posedimi i një licence që nesër mund të shitet.

Të dhënat e Open Data Albania dhe analiza e Citizens.al ka zbuluar se mbi 1,550 hektarë tokë publike janë dhënë me qira nga bashkitë për ndërtim të parqeve fotovoltaike – në të gjitha rastet pa garë. Bashkia Poliçan i ka dhënë kompanisë X One mbi 5.5 milionë m2. Bashkia Kolonjë ka shpërndarë 4.3 milionë m2 për 12 kontrata të ndryshme, ku dominon kompania Kail Energy.

Të gjitha këto procedura mbajnë klasifikimin “Red Flag” për mungesë konkurrence. Pra, kemi të bëjmë me favorizime të qarta, të cilat shërbejnë si bazë për aplikim në ERE për marrje licence. Në asnjë rast ERE nuk ka refuzuar dhënien e një licence për mungesë gare në kontratën bazë të tokës.

Përjashto Karavasta Solar dhe Ersekë Solar Park, pjesa më e madhe e projekteve të licencuara nuk kanë filluar ndërtimin. Voltalia ka nisur ndërtimin në Spitallë në fund të vitit 2024. Dhjetëra parqe 2 MW ekzistojnë vetëm në letër.

ERE ka detyrimin të monitorojë zbatimin e afateve për ndërtim. Por nuk ka publikuar asnjë vendim për heqje licence ndaj subjekteve që nuk e kanë filluar punën brenda afateve të parashikuara. Kjo tolerancë institucionale i kthen lejet në një instrument pasurimi për ata që i marrin, pa asnjë kosto dhe pa asnjë detyrim.

Edi Rama vazhdon të reklamojë rritjen e kapaciteteve të energjisë diellore në tryeza ndërkombëtare. Në realitet, ato janë kapacitete në letër. Në terren, prodhimi i energjisë fotovoltaike është shumëfish më i ulët sesa licencat e dhëna. Por kjo nuk përmendet në raportet e qeverisë.

Kryeministri nuk ka asnjë reagim për abuzimin me tokën publike. Nuk ka asnjë koment për mungesën e garës. As për mungesën e kontrollit të projekteve të licencuara. Në vend të kësaj, ai mbështetet tek “sukseset” e Voltalia-s, për të mbuluar dështimet sistematike të institucioneve shqiptare.

Përtej spekulimit me licenca dhe kapjes së tokës publike, sektori i energjisë fotovoltaike është kthyer edhe në një mjet të sofistikuar për pastrim parash. Kompanitë që nuk prodhojnë asgjë reale, por mbajnë leje në letër, po përdoren si kanale për të legalizuar të ardhura nga aktivitete të paligjshme përmes investimeve të simuluara. Bankat, nga ana tjetër, kanë ofruar financime pa analizë të thelluar të riskut apo aftësisë reale të operatorëve për të ndërtuar dhe operuar impiantet. Kjo i ka dhënë kësaj skeme një lloj legjitimiteti formal, duke krijuar një rreth ku paratë e pista kalojnë në formë “investimesh të gjelbra”.

Licencat për energjinë diellore janë kthyer në aset financiar, në duart e një rrethi të mbyllur individësh. ERE nuk ushtron kontroll. Kryeministri nuk merr përgjegjësi. Ndërsa publiku mbetet i painformuar për mënyrën se si po përdoret toka shtetërore, buxheti dhe burimet natyrore.

Në kontrast të fortë me këtë situatë, vendet e Bashkimit Evropian kanë vendosur standarde të qarta për dhënien e licencave në sektorin e energjisë së rinovueshme. Në Greqi dhe Itali, moszbatimi i afateve sjell automatikisht revokim licence. Në Gjermani dhe Holandë, autoritetet rregullatore kanë sisteme verifikimi shumë të rrepta për aftësinë financiare dhe teknike të aplikantëve, si dhe ndjekin parimin e transparencës totale në publikimin e kontratave dhe përfituesve fundorë. Ndërkohë në Shqipëri, mungesa e çdo filtri real ka çuar në një situatë ku licencat jepen si mall konsumi, pa kontroll dhe pa pasoja. 

/Pamfleti