Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka reaguar ashpër ndaj paralajmërimeve nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE), Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) dhe kompania furnizuese KESCO, duke i cilësuar si presion të papranueshëm ndaj sektorit privat.
Sipas AKB-së, kërkesa ndaj bizneseve që deri më 1 gusht të përzgjedhin një furnizues të licencuar për energji elektrike, përndryshe duke rrezikuar ndërprerjen e furnizimit, përbën një formë shantazhi që mund të ketë pasoja të rënda për ekonominë e vendit. Organizata ka kërkuar që afati i kalimit në tregun e hapur të shtyhet për së paku gjashtë muaj dhe që bizneset të vazhdojnë të furnizohen me çmime të rregulluara deri në gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme për të gjitha palët.
“Bizneset po përballen me pasiguri ligjore, çmime të larta dhe mungesë të mbështetjes institucionale. Paralajmërimet për ndërprerje janë të papranueshme dhe të rrezikshme për një ekonomi që po përpiqet të ruajë stabilitetin në kushte të vështira,” thuhet në reagimin e lëshuar nga AKB.
Përfaqësues të bizneseve, sipas organizatës, tashmë kanë ndërmarrë veprime ligjore dhe i janë drejtuar gjykatave me ankesa ndaj vendimeve të ZRrE-së, përfshirë mënyrën e imponimit të kontratave dhe tarifave në tregun e liberalizuar.
Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, i ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse që të ndalin çdo formë të presionit dhe të angazhohen në dialog me komunitetin e biznesit për të garantuar tranzicion të drejtë dhe të qëndrueshëm në tregun e energjisë.
“Nuk mund të lejohet që mijëra vende pune dhe funksionimi i sektorit privat të varen nga vendime të nxituara dhe të njëanshme,” ka deklaruar Shahini, duke shtuar se AKB do të vazhdojë të mbrojë interesat e bizneseve në çdo nivel institucional.