Home / Lajme / Rajoni / Investimet e huaja direkte në Ballkanin Perëndimor rriten lehtë, por mbeten pas krahasuar me rajonet tjera

Investimet e huaja direkte në Ballkanin Perëndimor rriten lehtë, por mbeten pas krahasuar me rajonet tjera

Investimet e huaja direkte në Ballkanin Perëndimor kanë shënuar rritje të qëndrueshme vitet e fundit, por totali i tyre mbetet ende dukshëm më i ulët krahasuar me vendet e tjera të Evropës Qendrore dhe Lindore.

Serbia vijon të kryesojë në rajon me mbi 4 miliardë euro investime në vit, ndërkohë që Shqipëria, Mali i Zi, Bosnja e Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut regjistrojnë shuma shumë më modeste, shpesh nën 2 miliardë euro. Edhe pse pjesa e investimeve në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto në disa prej këtyre vendeve është relativisht e lartë, vëllimi i përgjithshëm mbetet i kufizuar.

Burimi kryesor i kapitalit vijon të jenë vendet e Bashkimit Evropian, megjithëse investimet nga Kina janë rritur ndjeshëm që nga viti 2015, sidomos në Serbi. Megjithatë, për shumicën e vendeve të rajonit, ndikimi i investimeve kineze mbetet i kufizuar.

Sektori ku përqendrohet pjesa më e madhe e kapitalit të huaj është pasuria e paluajtshme, veçanërisht në Shqipëri dhe Kosovë, ku mbi gjysma e investimeve në vitin 2023 u orientuan në këtë drejtim. Ndërkohë, investimet në industri dhe prodhim janë nën 10%, çka konsiderohet si pengesë për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

2023 me 22 projekte të reja energjetike në Ballkan, nga 7 sa ishin regjistruar në vitin 2019

Sidoqoftë, një prirje pozitive është rritja e ndjeshme e projekteve në fushën e energjisë së ripërtëritshme. Në vitin 2023, u njoftuan 22 projekte të reja në sektorin e energjisë së pastër në Ballkanin Perëndimor, krahasuar me vetëm 7 projekte në vitin 2019.

Investime në parqe diellore dhe me erë po mbështeten gjithnjë e më shumë nga fonde ndërkombëtare dhe partneritete publike-private, me synim jo vetëm mbulimin e kërkesës vendore, por edhe eksportin e energjisë drejt tregjeve të BE-së përmes lidhjeve ndërkufitare si ajo Shqipëri-Mali i Zi-Itali.

Një tjetër fushë me potencial është digjitalizimi i bizneseve të vogla dhe të mesme. Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, me mbështetje nga Bashkimi Evropian, ka lansuar një program prej 377 milionë eurosh që synon të ndihmojë qindra ndërmarrje të rajonit në transformimin e tyre teknologjik dhe kalimin drejt praktikave më të qëndrueshme.

Përfshirja e grave në sipërmarrje është gjithashtu një objektiv kyç i këtij programi.

Megjithatë, sfidat strukturore vijojnë të mbeten të mëdha. Mungesa e besimit te institucionet, niveli i lartë i korrupsionit dhe fragmentimi i rregulloreve, veçanërisht në Bosnje dhe Hercegovinë, përbëjnë barriera të mëdha për investitorët potencialë. Për të përfituar nga potenciali i plotë ekonomik, vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të diversifikojnë burimet e investimeve dhe të orientojnë kapitalin drejt sektorëve me vlerë të shtuar, si energjia e pastër, industria dhe teknologjia.