Home / Lajme / Kosova / OEGJK, DhTIK, OHT kundër ndërprerjes së energjisë për bizneset në tregun e lirë

OEGJK, DhTIK, OHT kundër ndërprerjes së energjisë për bizneset në tregun e lirë

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë (DhTIK), së bashku me Odën Ekonomike Gjermano-Kosovare (OEGJK) dhe Odën e Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës (OHT), kanë zhvilluar një takim me përfaqësues të bizneseve për të diskutuar sfidat e kalimit në tregun e lirë të energjisë elektrike dhe pasojat e mundshme që lidhen me ndërprerjen e furnizimit.

Kryetari i Bordit të DhTIK-së, Skënder Krasniqi, theksoi se institucionet nuk kanë ndërmarrë asnjë hap konkret për të mbështetur bizneset, ndonëse këto të fundit përbëjnë mbi gjysmën e të hyrave buxhetore të vendit.

Ai përmendi edhe letrat zyrtare të dërguara në adresë të Komisionit Evropian, Sekretariatit të Energjisë në Vjenë dhe Zyrës së BE-së në Kosovë, me qëllim të sensibilizimit ndërkombëtar rreth problematikave.

Bizneset alarmojnë për falimentim nëse s’shtyhet afati për dalje në treg të hapur të energjisë

Drejtori i OEGJK-së, Besnik Vasolli, shprehu shqetësimin për mungesën e qartësisë në proces, duke theksuar se përkundër faktit që shumë biznese janë furnizuar nga KEK gjatë dy muajve të fundit, ato ende nuk kanë marrë fatura për energjinë e konsumuar.

Hysen Sogojeva nga OHT shtoi mbështetjen e vazhdueshme të sektorit të hotelerisë dhe turizmit në kundërshtimin e mënyrës se si po zbatohet ky proces. Ai theksoi se ndërhyrjet në infrastrukturën e energjisë nga ana e KEK-ut, përfshirë ndërrimin e matësve pa njoftim paraprak, po shtojnë pasigurinë te bizneset.

AKB i drejtohet ZRrE-së: Zgjateni afatin, shmangni krizën energjetike për bizneset

Të pranishmit në takim u shprehën të shqetësuar për mungesën e informatave, qasjen jo-transparente dhe rrezikun e ndërprerjes së energjisë në mes të një klime të pasigurt ekonomike. Shoqatat përsëritën qëndrimin se nuk janë kundër liberalizimit të tregut, por kërkojnë që ai të zbatohet me planifikim të duhur, informim të plotë dhe pa cënuar qëndrueshmërinë e sektorit privat.

Në fund, DhTIK, OEGJK dhe OHT kërkuan nga Qeveria e Kosovës, ZRRE dhe KEK që të pezullojnë çdo masë për ndërprerjen e furnizimit dhe të rishqyrtojnë mënyrën dhe kohën e zbatimit të liberalizimit të tregut të energjisë.

Bizneset pa kontrata rrezikojnë shkyçjen nga rryma më 31 korrik

Tregu i energjisë po hapet për shumë biznese: Çfarë duhet të dini para 1 qershorit 2025!?

Rafuna: Kërkojmë pezullimin e tregut të lirë të energjisë deri më 1 shkurt

Tregu i lirë energjetik, Dhoma e Tregtisë i drejtohet edhe Komunitetit të Energjisë