Këshilli i Evropës, përmes Komisionerit për të Drejtat e Njeriut, Michael O’Flaherty, ka publikuar një memorandum pas vizitës së tij në Maqedoninë e Veriut më 22–25 prill 2025. Ai i ka bërë thirrje autoriteteve të vendit që të kalojnë nga angazhimet formale drejt rezultateve konkrete në mbrojtjen e mjedisit dhe përfshirjen e komunitetit rom.
Komisioneri ka vlerësuar përparimin e arritur përmes Strategjisë Kombëtare për Përfshirjen e Romëve 2022–2030, përfshirë njohjen e këtij komuniteti në Kushtetutë, përpjekjet për zgjidhjen e rasteve të personave pa shtetësi dhe përmirësimin e qasjes në edukim për fëmijët romë. Ai gjithashtu ka përmendur rolin aktiv të organizatave të shoqërisë civile dhe përfaqësimin në rritje të grave rome në institucionet shtetërore.
Megjithatë, vëmendja është përqendruar në kushtet e vështira mjedisore me të cilat përballen komunitetet rome, të cilat jetojnë pranë deponive të pakontrolluara, zonave industriale dhe lagjeve të paurbanizuara. Komisioneri i ka cilësuar këto si shembuj të diskriminimit strukturor që cenojnë të drejtën për një ambient të shëndetshëm.
Ai ka kërkuar koordinim më të fortë ndërmjet institucioneve shtetërore dhe komunave për të përmirësuar infrastrukturën dhe shërbimet publike në zonat e margjinalizuara. Sipas tij, publikimi i të dhënave të detajuara për komunitetet do të ndihmonte në rritjen e transparencës dhe në ndjekjen më të mirë të progresit.
Për sa i përket çështjeve mjedisore në nivel kombëtar, Komisioneri ka shprehur shqetësim për ndotjen e ajrit, menaxhimin e mbetjeve dhe deponitë e rrezikshme. Ai ka theksuar se ligjet ekzistuese duhet të zbatohen në praktikë dhe qytetarëve t’u garantohet qasja në drejtësi për çështje që prekin ambientin.
Komisioneri gjithashtu ka inkurajuar miratimin e Ligjit për Klimën, i cili do të përputhej me angazhimet ndërkombëtare dhe do të forconte të drejtën për një ambient të shëndetshëm si pjesë e Kushtetutës, si dhe përfshirjen e veprave kundër ambientit në Kodin Penal.
Në përfundim, raporti bën thirrje për veprime të drejtpërdrejta dhe të matshme që garantojnë përmirësimin e kushteve të jetesës për komunitetin rom dhe mbrojtjen efektive të ambientit për të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut.