KEDS ka njoftuar se nga data 31 korrik 2025 do të fillojë shkyçjen nga rrjeti të të gjitha bizneseve që nuk kanë lidhur kontratë me një furnizues të licencuar.
Ky vendim bazohet në Ligjin për Energjinë Elektrike dhe Rregullën për Furnizuesin e Mundësisë së Fundit, të cilat parashikojnë një periudhë maksimale 60-ditore për furnizim pa kontratë të rregullt.
Pas përfundimit të kësaj periudhe, furnizimi nuk mund të vazhdojë dhe ndërprerja e lidhjes bëhet e detyrueshme për ruajtjen e integritetit të sistemit energjetik.
ZRRE ka theksuar se dalja në tregun e lirë për bizneset që nuk përfshihen në kategorinë e konsumatorëve me shërbim universal është obligim ligjor dhe se nuk ka hapësirë për shtyrje të afatit.
Ndërkohë, shumë biznese kanë shprehur pakënaqësi lidhur me mënyrën se si është zbatuar liberalizimi. Oda Ekonomike e Kosovës ka kërkuar që kalimi në tregun e lirë të shtyhet deri në shkurt 2026, duke e konsideruar procesin të papërgatitur dhe të dëmshëm për aktivitetin ekonomik.
KEDS i ka bërë thirrje të gjitha bizneseve që ende nuk kanë nënshkruar kontratë me ndonjë furnizues të licencuar që ta bëjnë këtë sa më parë, për të shmangur shkyçjen dhe ndërprerjen e veprimtarisë së tyre.