Home / Lajme / Kosova / Qytetarët në veriun e Kosovës ankohen për fatura të larta të rrymës; Elektroseveri: Problemi qëndron te borxhet e grumbulluara

Qytetarët në veriun e Kosovës ankohen për fatura të larta të rrymës; Elektroseveri: Problemi qëndron te borxhet e grumbulluara

Siç raportojnë mediat lokale, disa banorë të veriut të Kosovës kanë thënë se gjatë javëve të fundit kanë pranuar fatura jashtëzakonisht të larta për energjinë elektrike, si dhe paralajmërime për ndërprerje nga rrjeti.

Kompania Elektrosever ka sqaruar se shumica e këtyre problemeve lidhen me borxhe të grumbulluara ndër vite nga konsumatorët që nuk kanë paguar rregullisht faturat, por ka shtuar se po trajton me kujdes të gjitha ankesat dhe mbetet e hapur për bashkëpunim me qytetarët për të zgjidhur çdo paqartësi dhe për të siguruar furnizim të rregullt me energji.

Banorë nga Mitrovica e Veriut, Leposaviqi dhe zona të tjera kanë shprehur pakënaqësi lidhur me saktësinë e faturave, duke thënë se matësit janë të dëmtuar ose jo funksionalë, komunikimi me kompaninë është i vështirë dhe paralajmërimet për ndërprerje bëhen pa shpjegim të qartë.

Jovana Milisavljeviq nga Mitrovica e Veriut tregon se familjes së saj i ka ardhur një faturë prej 2,400 eurosh, shumë më e lartë nga sa pretendojnë se kanë shpenzuar realisht. Ajo shpjegon se kanë marrë fatura kontradiktore dhe njoftime për ndërprerje brenda pak ditësh, ndërkohë që sqarimet nga Elektrosever kanë qenë të paqarta.

Burri i saj, Nebojsha Antiq, i ka bërë thirrje Listës Serbe të ndërhyjë në këtë çështje, duke e konsideruar situatën si alarmante, pasi më shumë se 100 banorë kanë dorëzuar ankesa në komunën e Mitrovicës së Veriut.

Dejan Periq, një tjetër qytetar, thotë se faturat nuk përputhen me konsumin real dhe dyshon se ka probleme me sistemin e leximit të matësve, edhe pse janë vendosur pajisje të reja. Ai pohon se nuk do të paguajë faturat derisa të zgjidhet situata.

Ndërkohë, Milica Ristoviq nga fshati Kajkovo në Leposaviq, një nënë vetëushqyese që kujdeset edhe për familjarë me aftësi të kufizuara, përballet me rrezikun e ndërprerjes së energjisë për një borxh prej 1,900 eurosh. Ajo pretendon se matësi nuk ka funksionuar për vite dhe se fatura të ndryshme kanë ardhur edhe në emër të gjyshit të saj të ndjerë, ndonëse pronësia ende nuk është rregulluar ligjërisht.

Ajo shton se ka kontaktuar autoritetet në Leposaviq, Mitrovicë të Veriut dhe Prishtinë, por pa sukses të dukshëm. I është premtuar ulje e borxhit nëse paguan 10% paraprakisht, por ajo nuk ka mundësi financiare për ta bërë një gjë të tillë.

Nga Elektrosever kanë deklaruar se kompania funksionon në shërbim të konsumatorëve, por theksojnë se fatura të larta zakonisht u dërgohen atyre që nuk kanë paguar rregullisht dhe se ndërprerja nga rrjeti është gjithmonë një hap i fundit, pasi të jenë shteruar të gjitha alternativat e tjera.

“Prioriteti ynë është sigurimi i një furnizimi cilësor, të sigurt dhe të rregullt me energji elektrike për të gjithë përdoruesit. Çdo ankesë shqyrtohet me kujdes dhe, në rast se gjendet e bazuar, merren masa korrigjuese”, thuhet në reagimin e kompanisë.

Ata u bëjnë thirrje qytetarëve të kërkojnë verifikimin e faturave dhe të matësve në degët më të afërta të Elektrosever, dhe t’i përdorin kanalet zyrtare të komunikimit për çdo ankesë.

Gjithashtu, kompania apelon që qytetarët të përdorin energjinë në mënyrë racionale, të përdorin pajisje efikase dhe të kontrollojnë rregullisht gjendjen e konsumit të tyre.