Home / Lajme / Kosova / Avdullah Hoti kritikon ZRRE-në dhe Qeverinë: Po rrezikojnë bizneset me vendimin për tregun e hapur të energjisë

Avdullah Hoti kritikon ZRRE-në dhe Qeverinë: Po rrezikojnë bizneset me vendimin për tregun e hapur të energjisë

Ish-kryeministri i Kosovës dhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka reaguar ndaj vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), e cila nga 31 korriku pritet t’i detyrojë bizneset e mëdha të dalin në tregun e lirë të energjisë.

Përmes një postimi në Facebook, Hoti e ka cilësuar këtë vendim si të nxituar dhe të dëmshëm për ekonominë vendore, duke paralajmëruar pasoja të rënda për bizneset dhe qytetarët.

“Vendimi i ZRRE-së për dalje në treg të hapur të energjisë për biznese, i cili nesër hyn në fuqi, ka krijuar pasiguri të madhe për furnizim me energji për biznese,” shkruan Hoti.

Ai thotë se vendimi është marrë pa konsultime të mjaftueshme me komunitetin e biznesit dhe pa përgatitjet e nevojshme që një hap i tillë kërkon.

Sipas Hotit, pasojat ekonomike do të jenë të mëdha: largim i investitorëve ekzistues, rritje e kostove për prodhuesit vendorë, dobësim i konkurrencës në tregjet e brendshme dhe të jashtme, si dhe rritje e papunësisë.

“Kjo qasje arbitrare e ZRRE-së, e mbështetur nga Qeveria e mashtrimit, vetëm bizneseve kosovare nuk u shërben,” ka shkruar më tej Hoti, duke akuzuar institucionet për veprim të palogjikshëm dhe pa transparencë.

ZRRE-ja ka njoftuar se nga 31 korriku, të gjitha bizneset me më shumë se 50 punëtorë ose qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro që nuk kanë kontratë me ndonjë furnizues të licencuar do të mbesin pa rrymë. Ky vendim ka nxitur shqetësime dhe reagime të ashpra nga komuniteti i biznesit dhe tani edhe nga opozita parlamentare.