Korporata Energjetike e Kosovës (KEK Sh.A.) ka njoftuar se nga data 1 gusht 2025, hyn në funksion Departamenti për Sigurinë Fizike të Objekteve, i cili do të operojë brenda vetë strukturës së KEK-ut.
Ky vendim i Bordit dhe Menaxhmentit është cilësuar si një hap strategjik për të forcuar kontrollin e brendshëm, për të garantuar mbrojtjen e aseteve dhe për të adresuar problemet e vazhdueshme të sigurisë fizike që janë shfaqur ndër vite.
Për më shumë se 20 vjet, KEK ka mbështetur shërbimet e sigurimit fizik tek operatorë privatë. Gjatë kësaj periudhe janë evidentuar incidente të ndryshme dhe parregullësi që kanë rrezikuar sigurinë e aseteve kritike dhe jetën e punonjësve.
Për shkak të rëndësisë së KEK-ut si infrastrukturë kritike kombëtare, udhëheqësia e ndërmarrjes ka vendosur rikthimin e kontrollit të drejtpërdrejtë mbi sigurinë fizike.
Nga nesër, punonjësit e sigurimit fizik do të jenë zyrtarisht pjesë e stafit të KEK-ut dhe do të përfitojnë kushte më të mira pune, mbulim shëndetësor, shujta dhe trajtim të dinjitetshëm institucional.
Ky hap synon siguri të shtuar në të gjitha objektet strategjike të KEK-ut, parandalimin e ndërhyrjeve të jashtme të paautorizuara, veçanërisht në zonat e minierave dhe termocentraleve, si dhe rritjen e kapaciteteve të brendshme për menaxhimin e rrezikut dhe situatave emergjente.
KEK vlerëson se kjo masë do të kontribuojë në një funksionim më të qëndrueshëm dhe të sigurt të sistemit energjetik të Kosovës, në përputhje me interesin publik dhe përgjegjësinë institucionale.