Home / Lajme / Ndërkombëtare / Turqia zbulon rezervë nafte me vlerë rreth 4 miliardë dollarë

Turqia zbulon rezervë nafte me vlerë rreth 4 miliardë dollarë

Turqia ka zbuluar një rezervë prej 57 milionë fuçish nafte në rajonet Diyarbakır, Gabar dhe Batman, me një vlerë prej rreth 4 miliardë dollarësh. Lajmi u bë i ditur nga ministri turk i Energjisë dhe Burimeve Natyrore, Alparslan Bayraktar.

“Si rezultat i përpjekjeve tona për kërkimin e naftës në tokë, kemi identifikuar këto rezerva në disa zona të ndryshme të vendit,” deklaroi ministri.

Ai gjithashtu njoftoi për një tjetër zhvillim të rëndësishëm në sektorin energjetik: një zbulim prej 75 miliardë metrash kub gaz natyror në pusin Göktepe-3 në Detin e Zi. Sipas Bayraktarit, ky zbulim është i mjaftueshëm për të përmbushur nevojat e Turqisë për gaz për rreth një vit e gjysëm deri në 4 vjet e gjysëm.

“Ky rezervuar përfaqëson një vlerë ekonomike prej rreth 30 miliardë dollarë,” shtoi ai, duke nënvizuar se këto zbulime janë një hap i rëndësishëm për sigurinë energjetike të vendit.

Bayraktar tha se Turqia do të vazhdojë intensifikimin e kërkimeve për naftë dhe gaz deri në fund të vitit.

/Photo by Tarik Haiga on Unsplash