Home / Lajme / Tjera / KESCO paralajmëron qytetarët: Kujdes nga mesazhet e rreme për pagesat e energjisë

KESCO paralajmëron qytetarët: Kujdes nga mesazhet e rreme për pagesat e energjisë

Kompania për Furnizim me Energji Elektrike në Kosovë (KESCO) ka njoftuar konsumatorët se kohëve të fundit janë vërejtur raste të mashtrimeve përmes SMS-ve dhe email-eve të rreme, të cilat paraqiten si njoftime zyrtare nga kompania.

Në këto mesazhe të rrejshme, qytetarëve u kërkohet të bëjnë pagesa për faturat e energjisë elektrike përmes linqeve të panjohura dhe të dyshimta.

KESCO ka theksuar se këto njoftime nuk vijnë nga kompania dhe u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos hapin asnjë link të tillë, si dhe të mos japin të dhëna personale apo informacione të ndjeshme për pagesa. Kompania ka ritheksuar se komunikimet dhe pagesat zyrtare duhet të bëhen vetëm përmes kanaleve të autorizuara dhe të sigurta.

Në deklaratën e saj, KESCO ka listuar platformat e besueshme për komunikim dhe kryerjen e pagesave: faqja zyrtare e internetit, aplikacioni #eKesco, platforma shtetërore eKosova, pikat fizike të arkës së KESCO-s, bankat komerciale të licencuara dhe institucionet mikrofinanciare të autorizuara.

Kompania ka inkurajuar qytetarët që, nëse marrin ndonjë mesazh të dyshimtë që pretendon të vijë nga KESCO, të mos e injorojnë rrezikun, por të kontaktojnë menjëherë Policinë e Kosovës. Njëkohësisht, për çdo paqartësi, qytetarët mund të kërkojnë ndihmë nga këshilltarët e KESCO përmes kanaleve zyrtare të komunikimit.