Ministrja për Energji, Miniera dhe Burime Minerale e Maqedonisë së Veriut, Sanja Bozhinovska, ka njoftuar miratimin e një programi të ri për mbështetjen e konsumatorëve më të cenueshëm të energjisë elektrike, në kuadër të përpjekjeve për të siguruar mbrojtje sociale gjatë krizave energjetike dhe përballimit të kostove të larta.
Përmes këtij programi, janë siguruar gjithsej 686 mijë euro (42.3 milionë denarë) ndihmë financiare që do të shpërndahen gjatë periudhës 12-mujore për familjet dhe individët që përballen me rrethana të vështira shëndetësore ose sociale. Ministrja Bozhinovska theksoi se mbështetja synon të lehtësojë barrën energjetike për ata që janë më të prekur nga ndryshimet e çmimeve dhe kushtet ekonomike të paqëndrueshme.
Mbështetja do t’u ndahet katër kategorive të caktuara të qytetarëve: personave me aftësi të kufizuara të rënda intelektuale, me aftësi të kufizuara të theksuara fizike, personave të verbër dhe atyre të shurdhër. Shuma për secilën kategori është ndarë në bazë të kritereve të përcaktuara me vendim të Ministrisë, ndërsa përzgjedhja e përfituesve do të bëhet përmes një thirrjeje publike që do të jetë e hapur për 30 ditë.
Ministrja sqaroi se aplikimi do të bëhet përmes një formulari të thjeshtë online dhe me dorëzimin e dokumentacionit përkatës. Komisione të posaçme do të shqyrtojnë aplikimet dhe do të hartojnë listën përfundimtare të përfituesve, e cila më pas do të publikohet.
Përveç ndihmës financiare direkte, programi parashikon edhe masa mbrojtëse për këto kategori gjatë sezonit të dimrit, duke ndaluar ndërprerjet e energjisë për shkak të borxheve dhe duke garantuar reagim të shpejtë në rast defektesh ose ndërprerjesh.
Bozhinovska theksoi se ky është një hap i rëndësishëm në drejtim të drejtësisë energjetike dhe barazisë sociale, si dhe një shembull i qasjes që mund të shërbejë edhe për vendet e tjera të rajonit, përfshirë Kosovën, ku qytetarët e ndjeshëm ndaj çmimeve të energjisë përballen me sfida të ngjashme.