Home / Lajme / Rajoni / Ministrja Bozhinovska: LNG-ja amerikane është një mundësi strategjike që rajoni nuk duhet ta humbasë

Ministrja Bozhinovska: LNG-ja amerikane është një mundësi strategjike që rajoni nuk duhet ta humbasë

Ministrja për Energji, Miniera dhe Burime Minerale e Maqedonisë së Veriut, Sanja Bozhinovska, ka deklaruar se përfshirja e vendeve të Ballkanit në projektet e gazit të lëngshëm natyror (LNG), veçanërisht ato të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është një mundësi strategjike që nuk duhet të shpërfillet.

Në një intervistë për median energjetike në Shkup, ministrja Bozhinovska theksoi se terminali i LNG-së në Aleksandrupoli të Greqisë përbën një pikë kyçe për sigurinë energjetike në rajon dhe ofron një alternativë të qëndrueshme dhe të sigurt në raport me burimet tradicionale të gazit.

“Në këtë moment delikat gjeopolitik, LNG-ja amerikane është më shumë se një burim energjie – është një garanci për siguri dhe pavarësi energjetike. Rajoni duhet të jetë pjesë aktive e kësaj zgjidhjeje strategjike,” deklaroi Bozhinovska.

Sipas saj, përfshirja në projektet e infrastrukturës së gazit, si ai në Aleksandrupoli, nuk është vetëm një çështje ekonomike, por mbi të gjitha politike. Ajo theksoi se vendet e Ballkanit, përfshirë Maqedoninë e Veriut, Kosovën, Shqipërinë dhe të tjera, duhet të bashkëpunojnë për të siguruar qasje të qëndrueshme në burime energjetike të diversifikuara.

Bozhinovska theksoi se projekti në Greqi, që tashmë është funksional, ka kapacitete të larta për të furnizuar me gaz edhe vendet fqinje, përfshirë Ballkanin Perëndimor. Sipas saj, është momenti i duhur që qeveritë në rajon të angazhohen për të përfituar nga kjo dritare e mundësisë.

“Koordinimi rajonal është thelbësor. Ne duhet të mendojmë përtej kufijve dhe të ndërtojmë politika të përbashkëta energjetike, në përputhje me interesat tona strategjike,” shtoi ajo.

Ministrja Bozhinovska ritheksoi se qasja në LNG-në amerikane, përmes terminaleve si ai i Aleksandrupolit, është në linjë me përpjekjet e Bashkimit Evropian dhe SHBA-ve për të zvogëluar varësinë nga burimet e pasigurta dhe për të forcuar rezistencën energjetike të Ballkanit.