Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka vizituar dy biznese në Gjakovë që kanë përfituar subvencione për instalimin e paneleve solare, në kuadër të një programi të mbështetur nga Bashkimi Evropian për promovimin e konsumit vetanak të energjisë së ripërtëritshme.
Në vizitën e saj, ministrja Rizvanolli shoqërohej nga Alessandro Bianciardin, Zëvendësdrejtor i Seksionit të Bashkëpunimit në Zyrën e BE-së në Kosovë. Ata vizituan Qumështoren Ada dhe kompaninë “Toni Plast”, të cilat kanë instaluar sisteme solare falë mbështetjes financiare të siguruar nga një grant i Ministrisë së Ekonomisë, në bashkëpunim me Bashkimin Evropian.
Sipas pronarëve të dy bizneseve, subvencioni prej 6,000 eurosh ka mundësuar investime që tashmë po japin rezultate të prekshme. Ata njoftuan se pas instalimit të paneleve solare, faturat mujore të energjisë janë përgjysmuar, duke ulur ndjeshëm kostot operative dhe duke rritur qëndrueshmërinë e tyre financiare.
Ministrja Rizvanolli falënderoi Bashkimin Evropian për mbështetjen e vazhdueshme në sektorin energjetik, veçanërisht në tejkalimin e krizës energjetike me të cilën është përballur vendi vitet e fundit. Ajo gjithashtu vlerësoi përkushtimin e bizneseve prodhuese që investojnë në efiçiencë të energjisë, duke theksuar se këto investime janë të rëndësishme jo vetëm për qëndrueshmërinë e vetë ndërmarrjeve, por edhe për ekonominë kombëtare në tërësi.