Home / Lajme / Kosova / Profesor Rexhepi: Tregu i lirë i energjisë është futur në një situatë të paqartë dhe kaotike

Profesor Rexhepi: Tregu i lirë i energjisë është futur në një situatë të paqartë dhe kaotike

Profesori në Fakultetin Teknik, Vezir Rexhepi, ka ngritur shqetësime serioze për mënyrën si po zhvillohet procesi i liberalizimit të tregut të energjisë në Kosovë, duke e cilësuar situatën aktuale si të paqartë dhe të paqëndrueshme në aspektin ligjor dhe praktik.

Duke komentuar vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) për të detyruar bizneset me qarkullim mbi 10 milionë euro dhe mbi 50 punëtorë që të kalojnë në tregun e lirë të energjisë, Rexhepi theksoi se ekziston një konfuzion i madh pas pezullimit ose anulimit të këtij vendimi nga Gjykata Komerciale.

“Sot kemi një situatë paksa kaotike për sa i përket ligjshmërisë dhe vendimeve të gjykatës,” tha ai në një intervistë për emisionin Five në RTV Dukagjini. Sipas tij, edhe pse është përfolur për një zgjatje të rolit të KEK-ut si furnizues i mundësisë së fundit deri më 31 janar 2026, nuk ka ende një zyrtarizim të qartë që do të siguronte stabilitet për konsumatorët biznesorë.

Rexhepi theksoi se është thelbësore që furnizimi nga KEK-u të vazhdojë për një periudhë tranzitore, për t’u dhënë bizneseve kohë për t’u përshtatur me realitetin e ri të tregut të liberalizuar. “Nuk mund të ndërtohet brenda natës një sistem funksional. Duhet të krijohet një platformë e qëndrueshme, ku konsumatorët të kenë qasje në çmime të volitshme dhe të kenë një alternativë reale në treg,” u shpreh ai.

Sipas profesorit, sfida qëndron në krijimin e kushteve të balancuara mes liberalizimit të tregut dhe mbrojtjes së konsumatorëve, sidomos të atyre që kanë rëndësi strategjike për ekonominë vendore.