Pas disa vitesh rritjeje të qëndrueshme, tregu i makinave elektrike në Zvicër ka shënuar një rënie gjatë vitit 2024, duke reflektuar sfida të shumta në përpjekjet për kalimin drejt një transporti më të pastër dhe të qëndrueshëm.
Sipas të dhënave zyrtare, përqindja e veturave të reja me motorë tërësisht elektrikë ka rënë nga 20.7 për qind në vitin 2023 në 19 për qind në vitin 2024. Rënie e ngjashme është regjistruar edhe në segmentin e automjeteve për transport mallrash. Në total, janë regjistruar rreth 239 mijë vetura të reja në Zvicër dhe Lihtenshtajn – një rënie prej afro 13 mijë veturash krahasuar me vitin paraprak.
Një ndër arsyet kryesore të kësaj rënieje është heqja e përjashtimeve nga taksat doganore për makinat elektrike, e cila hyri në fuqi në fillim të vitit 2024. Kjo masë ka rritur ndjeshëm çmimin fillestar të automjeteve elektrike dhe ka ulur motivimin e konsumatorëve për t’i blerë ato. Për më tepër, mungesa e infrastrukturës për karikim, sidomos për banorët e ndërtesave kolektive, vazhdon të jetë një pengesë e rëndësishme.
Megjithatë, makinat me teknologji alternative – që përfshijnë ato elektrike dhe ato hibride – kanë përbërë rreth 62 për qind të regjistrimeve të reja gjatë vitit 2024. Kjo tregon se interesi për forma të transportit më ekologjik mbetet i pranishëm, edhe pse ritmi i rritjes është ngadalësuar.
Në fillim të vitit 2024, në rrugët e Zvicrës qarkullonin mbi 163 mijë makina tërësisht elektrike, nga një total prej rreth 4.5 milionë veturash. Kjo do të thotë se prezenca e tyre në qarkullim mbetet modeste, por në rritje.
Parashikimet për vitet e ardhshme janë më optimiste. Sipas analizave të tregut, deri në vitin 2029 pritet që shitjet e veturave elektrike të tejkalojnë 100 mijë njësi në vit dhe tregu të arrijë një vlerë prej mbi 5 miliardë frangash zvicerane.
Gjatë vitit 2024, janë regjistruar rreth 46 mijë makina elektrike të reja – një rënie prej mbi 12 për qind krahasuar me një vit më parë. Edhe veturat hibride të rikarikueshme kanë shënuar rënie me mbi 10 për qind, duke u ndalur në rreth 21 mijë njësi të reja.