Një referendum për rihapjen e centralit të fundit bërthamor në Tajvan dështoi të shtunën pasi nuk arriti pragun ligjor të votave, edhe pse presidenti i vendit la të hapur mundësinë e rikthimit të teknologjisë bërthamore në të ardhmen, nëse standardet e sigurisë përmirësohen.
Referendumi, i mbështetur nga opozita, kërkonte që centrali Maanshan, i mbyllur në maj si pjesë e tranzicionit të qeverisë drejt energjive të rinovueshme dhe gazit natyror të lëngshëm, të rihapej nëse “konfirmohej” se nuk kishte rreziqe sigurie, raporton Reuters.
Iniciativa u propozua nga partia e vogël Taiwan People’s Party (TPP) dhe me mbështetjen e Kuomintang (KMT) arriti të kalojë në parlament. Argumenti kryesor i opozitës ishte se Tajvani ka nevojë për furnizim të besueshëm me energji dhe nuk duhet të mbështetet kaq shumë te importet.
Sipas Komisionit Qendror Zgjedhor, rreth 4.3 milionë persona votuan pro rihapjes së centralit, krahasuar me 1.5 milionë që votuan kundër. Megjithatë, për të kaluar, nisma kishte nevojë për mbështetjen e një të katërtës së të gjithë zgjedhësve të regjistruar, rreth 5 milionë vota, gjë që nuk u arrit.
Qeveria ka paralajmëruar se përdorimi i energjisë bërthamore në një ishull të rrezikuar nga tërmetet si Tajvani paraqet probleme serioze sigurie, sidomos në menaxhimin e mbetjeve radioaktive.
Presidenti Lai Ching-te, duke folur pas votimit, tha se kuptonte pritshmëritë e shoqërisë për diversifikim të burimeve të energjisë:
“Nëse në të ardhmen teknologjia bëhet më e sigurt, mbetjet bërthamore reduktohen dhe pranohet më shumë nga shoqëria, nuk do ta përjashtojmë opsionin e energjisë bërthamore të avancuar.”
Votime të tjera politike në sfond
Në të njëjtën ditë u zhvilluan edhe votime për të shkarkuar shtatë deputetë të KMT-së, por edhe ato dështuan. Një referendum më i gjerë muajin e kaluar, për të larguar 24 deputetë nga e njëjta parti, po ashtu nuk pati sukses.
Grupet civile që udhëhoqën fushatën e shkarkimit, me mbështetjen e partisë në pushtet Democratic Progressive Party (DPP), i akuzuan deputetët se janë tepër afër Kinës dhe se pengojnë qëllimisht shpenzimet qeveritare dhe ligjvënien, akuza që ata i mohuan fuqishëm.
Presidenti Lai tha gjithashtu se kryeministri Cho Jung-tai kishte kërkuar disa herë të dorëhiqej pas dështimit të votimeve për shkarkimin, por ai e kishte bindur të qëndronte. Megjithatë, pritet një riformatim i kabinetit për ta bërë qeverisjen “më efikase dhe më efektive”.
Aktualisht, opozita (KMT dhe TPP) mban shumicën në parlament, ndërsa DPP kontrollon presidencën dhe qeverinë.
/tvklan.al