Dhjetëra aeroporte në rajonin e Evropës Juglindore po ndërmarrin investime të rëndësishme për energji të ripërtërishme dhe eficiencë energjetike, duke synuar uljen e kostove operacionale dhe ndikimin negativ mjedisor.
Aeroportet në Stamboll dhe Athinë po përqendrohen në kalimin e plotë në energji diellore, ndërsa të tjera në rajon po përmirësojnë sistemet e ndriçimit, përdorin automjete elektrike dhe zhvillojnë menaxhim më të mirë të ujërave dhe mbetjeve. Këto nisma kanë për qëllim të ulin ndotjen dhe të rrisin qëndrueshmërinë e operacioneve.
Në Shqipëri, Aeroporti i Kukësit po zhvillon një projekt diellor me kapacitet prej 12 MW në zonën e Shtiqenit për të gjeneruar dhe tregtuar energji elektrike. Ndërsa Aeroporti i Vlorës, që është ende në ndërtim, do të mbulohet plotësisht me panele diellore me një kapacitet prej 5.2 MW, duke e bërë atë një nga aeroportet më të gjelbërta në rajon.
Në Kroaci, Aeroporti i Zagrebit ka instaluar këtë vit një njësi fotovoltaike prej 250 kW dhe tashmë furnizohet plotësisht me energji të ripërtërishme. Po ashtu, janë ndërmarrë ndryshime në sistemet e ndriçimit dhe përdorimin e teknologjive të reja për hidrogjen, duke përmirësuar efikasitetin energjetik dhe reduktuar emetimet.
Në Athinë, Aeroporti Ndërkombëtar “Eleftherios Venizelos” ka ndërtuar në vitin 2011 një park diellor me kapacitet 8.05 MW dhe më pas ka shtuar një tjetër prej 15.8 MW në 2023. Aktualisht po vihen në funksion dy njësitë e tjera që së bashku do të arrijnë 35.5 MW, si dhe një sistem ruajtjeje energjie me kapacitet 82 MWh, duke i dhënë aeroportit një pjesë të madhe të energjisë së nevojshme nga burime të ripërtërishme.
Këto investime tregojnë një përpjekje të qartë të aeroporteve të rajonit drejt operacioneve më të qëndrueshme, me përfitime afatgjata mjedisore dhe financiare. Ato shërbejnë si shembuj për transformimin e sektorit të transportit ajror drejt një modeli më ekologjik dhe ekonomikisht të qëndrueshëm.