Ish-zëvendësministri i Jashtëm, ish-deputeti dhe biznesmeni i njohur, Gani Dreshaj, ka reaguar ashpër ndaj politikave energjetike të Qeverisë së Kosovës.
Përmes një letre të hapur, Dreshaj ka akuzuar qeverinë se, në vend që të mbështesë industrinë, po e vështirëson jetën e saj përmes çmimeve të larta të energjisë elektrike. Ai ka krahasuar qasjen e Kosovës me atë të Gjermanisë, e cila – si një vend i fuqishëm industrial – u del në ndihmë ndërmarrjeve me konsum të lartë të energjisë, ndërsa në Kosovë, sipas tij, politikat e tanishme po e rrezikojnë ekzistencën e kompanive.
“Pasojat janë dramatike: ndërmarrjet po shohin ekzistencën e tyre të rrezikuar, vendet e punës janë në lojë dhe rinia po humb çdo perspektivë”, ka shkruar ai, duke theksuar se mijëra të rinj tashmë po e lënë vendin dhe politika aktuale energjetike po i shtyn edhe më shumë drejt emigrimit.
Në letrën e tij, Dreshaj e ka quajtur “të turpshme” këtë qasje të ekzekutivit, duke thënë se po vepron sikur vendit nuk i duhet industri dhe zhvillim ekonomik. Ai paralajmëroi se një situatë e tillë po i frikëson investitorët dhe po e dobëson fuqinë ekonomike të vendit.
Dreshaj i ka bërë thirrje qeverisë që të ndalojë menjëherë këtë politikë dhe të ofrojë një strategji të qartë ekonomike: “Na duhet siguri për investime, çmime të qëndrueshme të energjisë dhe një vizion i qartë për ekonominë. Vetëm kështu mund t’i japim shpresë të rinjve dhe ta bëjmë vendin tonë të aftë për të ardhmen,” ka përfunduar ai.