Home / Lajme / Energjia e ripërtëritshme / Sekretari gjerman viziton KEK-un: Në fokus projekti solar 100 MW

Sekretari gjerman viziton KEK-un: Në fokus projekti solar 100 MW

Sekretari i Shtetit Parlamentar i Gjermanisë për Bashkëpunim dhe Zhvillim, Johann Saathoff, vizitoi të shtunën Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK). Ai u prit nga kryeshefi ekzekutiv Gramos Hashani dhe kryetari i bordit Valdrin Krasniqi, ndërsa në takim morën pjesë edhe përfaqësues të Ambasadës Gjermane dhe zyrtarë të KfW-së.

Vizita u përqendrua te projektet strategjike të KEK-ut, me theks të veçantë tek projekti solar Solar4Kosovo me kapacitet prej 100 megavatësh, që financohet nga qeveria gjermane përmes KfW-së. Ky konsiderohet një nga investimet më të mëdha gjermane në sektorin energjetik të Kosovës dhe një hap i rëndësishëm drejt tranzicionit në burime të ripërtëritshme.

Hashani falënderoi qeverinë gjermane për mbështetjen dhe theksoi se projekti do të ndihmojë në diversifikimin e burimeve energjetike të vendit dhe forcimin e rolit të KEK-ut në zhvillimin ekonomik. Ai shtoi se, krahas operimit të termocentraleve “Kosova A” dhe “Kosova B”, KEK po ndjek një qasje të qartë drejt energjisë së pastër.

Nga ana tjetër, Saathoff tha se investimi në energji solare nuk është vetëm investim në infrastrukturë, por edhe në të ardhmen e gjelbër të Kosovës. Ai theksoi përkushtimin e Gjermanisë për të mbështetur tranzicionin energjetik të Kosovës në përputhje me standardet evropiane dhe objektivat ndërkombëtare për klimën.

Drejtori për Energji të Ripërtëritshme në KEK, Erdoan Zasella, njoftoi se projekti është në fazën e marrjes së lejeve ndërtimore, ndërsa tenderi për parakualifikim pritet të shpallet brenda dy muajve. Ndërtimi planifikohet të nisë në vitin 2026 dhe lidhja e parë me rrjet të realizohet në vitin 2028.

Solar4Kosovo do të ndërtohet në hapësirën prej 153 hektarësh të ish-hirit të termocentralit “Kosova A”. Projekti po mbështetet nga qeveria gjermane përmes KfW-së, Banka Evropiane për Investime dhe Bashkimi Evropian përmes WBIF-it. Ai shihet si një hap i madh drejt uljes së ndotjes dhe krijimit të një të ardhmeje më të qëndrueshme energjetike për Kosovën.