Home / Lajme / Rajoni / Shqipëria licencon 142.8 MW energji – dominon fuqishëm energjia nga dielli

Shqipëria licencon 142.8 MW energji – dominon fuqishëm energjia nga dielli

Gjatë shtatë muajve të parë të vitit 2025, Enti Rregullator i Energjisë ka dhënë licenca për 16 kompani për prodhimin e energjisë elektrike, me një kapacitet të përgjithshëm prej 142.8 MW.

Pjesa më e madhe e këtij kapaciteti i takon energjisë diellore. Janë licencuar 13 projekte që së bashku arrijnë në 125 MW, shumica e të cilëve do të ndërtohen në Qarkun e Fierit. Krahas tyre, janë miratuar edhe tre projekte hidroenergjetike me kapacitet total prej 17.8 MW.

Ndërkohë, energjia e erës mbetet e pashfrytëzuar. Nga janari deri në korrik 2025 nuk është dhënë asnjë licencë për këtë teknologji, ndërsa aktualisht në Shqipëri ekzistojnë vetëm dy licenca aktive të fituara vite më parë, në periudhën 2007–2008.

Autoritetet theksojnë se, me rritjen e shpejtë të projekteve fotovoltaike dhe hidroenergjetike, sfida kryesore mbetet integrimi i tyre në rrjetin elektroenergjetik kombëtar, duke kërkuar investime shtesë dhe planifikim afatgjatë për një zhvillim më të qëndrueshëm të sektorit.