Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) ka publikuar Koncept Dokumentin për Rregullën mbi Mekanizmin e Mbështetjes për Burimet e Ripërtëritshme të Energjisë dhe ka ftuar të gjitha palët e interesit të japin komentet e tyre.
Dokumenti është përgatitur nga ZRrE dhe këshilltarët e saj me mbështetjen e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe synon të sigurojë një proces të hapur e gjithëpërfshirës konsultimi publik. Komentet e pranuara do të shërbejnë për përmirësimin dhe finalizimin e draftit të rregullës.
Dokumenti përshkruan funksionet kryesore të Operatorit të Energjisë së Ripërtëritshme (OER), i cili do të financohet nga Fondi i Mbështetjes së Energjisë së Ripërtëritshme (RES Fondi), përmes detyrimit për energji të ripërtëritshme. Sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës, KOSTT është caktuar të kryejë funksionet e OER-it nën licencën e Operatorit të Tregut, duke menaxhuar fondin dhe duke shërbyer si palë kontraktuese për prodhuesit e energjisë së ripërtëritshme.
Koncept Dokumenti trajton gjithashtu mekanizmat e mbështetjes për vet-konsumatorët (prosumatorët), menaxhimin e likuiditetit për të garantuar pagesa të qëndrueshme dhe të parashikueshme, si dhe procedurat për përcaktimin dhe rishikimin e rolit të OER-it.
ZRrE ka ftuar prodhuesit e energjisë, furnizuesit, konsumatorët, organizatat e shoqërisë civile dhe institucionet publike të dërgojnë komentet e tyre deri më 5 shtator 2025 në adresën elektronike info@ero-ks.org. Pas kësaj, siç është praktika e deritanishme, ZRrE do të përgatisë përgjigje për komentet dhe do të organizojë një punëtori konsultuese me palët e interesit.
Me këtë proces, ZRrE synon të sigurojë që korniza rregullative për energjinë e ripërtëritshme të jetë transparente, financiarisht e qëndrueshme dhe në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare.