Home / Lajme / Investing dhe Financa / Investimet bien, por patundshmëria mbetet tërheqëse për investitorët e huaj

Investimet bien, por patundshmëria mbetet tërheqëse për investitorët e huaj

Investimet e Huaja Direkte (IHD) në Kosovë arritën në 847.4 milionë euro në vitin 2024, duke përfaqësuar 8.2 përqind të Bruto Produktit Vendor (BPV), sipas raportit vjetor të publikuar nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK).

Megjithatë, rritja e IHD-ve ka shënuar ngadalësim të theksuar, me vetëm 0.9 përqind më shumë krahasuar me një vit më parë, kur ishte regjistruar një rritje prej 14.8 përqind.

Sektori i patundshmërisë vazhdon të mbajë pjesën dërrmuese të investimeve, duke përbërë 76.5 përqind të gjithsej IHD-ve. Gjatë vitit të kaluar, ky sektor ka përjetuar një rritje prej 25.4 përqind, duke arritur në 648.6 milionë euro. Sipas BQK-së, rritja është ndikuar kryesisht nga çmimet në rritje të pasurive të paluajtshme dhe kërkesa e lartë për prona, sidomos në zonat urbane dhe ato turistike.

Sa i përket origjinës së kapitalit, Gjermania mbetet investitori më i madh në Kosovë me 23.7 përqind të gjithsej IHD-ve, e ndjekur nga Zvicra me 22.2 përqind dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 10.4 përqind.

Nga ana tjetër, investimet direkte të kosovarëve jashtë vendit shënuan një rritje të konsiderueshme prej 18.1 përqind, duke arritur në 224.3 milionë euro. Këto investime janë orientuar kryesisht në sektorin e patundshmërisë në vendet e rajonit, çka tregon për një tendencë të qartë diversifikimi të kapitalit dhe rritje të interesimit për tregjet ndërkombëtare nga ana e investitorëve kosovarë.

Ekspertët vlerësojnë se, pavarësisht ngadalësimit të rritjes së përgjithshme të IHD-ve, interesi i qëndrueshëm për sektorin e patundshmërisë dhe përfshirja e diasporës mbeten faktorë kyç në tërheqjen e kapitalit të huaj në Kosovë.