Nga 16 Gushti, një numër i madh i bizneseve në Kosovë janë përballur me ndërprerje të energjisë elektrike, pas hyrjes në fuqi të vendimit të ZRRE për daljen e tyre në tregun e lirë, raporton GazetaBlic.
Lidhur me këtë çështje, në një prononcim për GazetaBlic, ka reaguar njohësi i ekonomisë, Arton Muhaxheri ku thotë se ky vendim ka shkaktuar jo vetëm kaos në sektorin privat, por rrezikon edhe stabilitetin ekonomik të vendit në tërësi.
Ai paralajmëron se kjo situatë nuk prek vetëm kompanitë private, por ka pasoja të drejtpërdrejta në punësim, investime dhe besueshmërinë e përgjithshme të sistemit ekonomik.
“Vendimi i ZRRE-së për futjen e bizneseve në tregun e lirë të energjisë ka krijuar kaos. Bizneset po përballen me ndërprerje të shpeshta dhe kosto më të larta, gjë që ul prodhimin, dobëson konkurrueshmërinë dhe rrezikon zhvendosjen e tyre drejt vendeve fqinje ku kushtet e energjisë janë më të qëndrueshme. Kjo nuk prek vetëm bizneset, por e godet drejtpërdrejt gjithë ekonominë e vendit, duke rrezikuar investimet dhe punësimin”, tha ai.
Muhaxheri ngriti shqetësime edhe për trajtimin e pabarabartë mes pjesës tjetër të Kosovës dhe katër komunave në veri, ku, sipas tij, bizneset furnizohen nga kompania “Elektrosever” dhe nuk u nënshtrohen të njëjtave rregulla.
Ndër të tjera ai thekson se një trajtim i tillë i pabarabartë jo vetëm që godet ekonominë, por rrezikon që investitorët vendorë dhe të huaj të humbasin besimin në përkushtimin e shtetit për të mbrojtur interesin ekonomik të të gjithëve në mënyrë të barabartë.
“Problemi bëhet edhe më i madh kur shohim se ky vendim nuk zbatohet në katër komunat veriore, ku bizneset furnizohen nga “Elektrosever” dhe nuk i nënshtrohen të njëjtave rregulla. Kjo jo vetëm që krijon konkurrencë të padrejtë, por tregon qartë standardet e dyfishta të institucioneve tona. Një biznes në jug të Kosovës po përballet me kosto të larta dhe mungesë sigurie energjetike, ndërsa në veri bizneset vazhdojnë normalisht pa këto pengesa. Ky trajtim i pabarabartë minon besimin në institucionet vendore, dëmton klimën e investimeve dhe i shtyn investitorët e huaj e vendas të dyshojnë në seriozitetin e shtetit për të mbrojtur interesin ekonomik të të gjithëve në mënyrë të barabartë”, përfundoi ai për GazetaBlic.