Ndërtimi për parkun fotovoltaik të Spitallës pritet që të nisë këtë vit dhe nëse punimet ecin siç duhet vënia në punë dhe testimi pritet të bëhen në gusht-dhjetor të vitit 2026 ndërkohë që operimi tregtar pritet në janar 2027.
“Spitalla Solar” e themeluar nga kompania Voltalia si përfaqësuese e saj në Shqipëri, ka njoftuar autoritetet përmes dokumentacionit vendndodhjen e saktë të impiantit dhe detaje të tjera të lidhura me të.
“Projekti ndodhet në territorin e Bashkisë Durrës, pranë fshatrave Adriatik, Vrinas (Shënavlash) dhe Spitallë, brenda Njësisë Administrative të Rrashbullit, Njësisë së Administrative (NjA) Nr.6 të qytetit të Durrësit dhe brenda Prefekturës së Durrësit. Vendndodhja e zonës së propozuar për ndërtimin e Parkut Fotovoltaik në Spitallë është në zonën kadastrale nr. 8517 dhe përfshin një sipërfaqe prej rreth 123. Ha” thuhet në dokument.
Impianti me kapacitet të instaluar 100 MW pritet që të ndërtohet për një periudhë 15 mujore. Konkretisht sipas një kalendari paraprak kompania parashikon që ndërtimi në nisë në nëntor të këtij viti teksa përgjatë periudhës maj-qershor 2025 është bërë gati kantieri.
Punimet mekanike dhe ato elektrike pritet të zenë vend gjatë nëntor-2025 dhe nëntor 2026. Impianti fotovolatik i Spitallës është i dyti që Voltalia do të zbatojë në vendin tonë pas atij të Karavastasë tashmë në operim prej dhjetorit 2023.
Projektet e Voltalia
Voltalia fitoi ankandin e parë të qeverisë për Karavastanë në vitin 2020, ku ofroi një çmim 24,89 euro për megavat. Sipas marrëveshjes 70 megavat janë të ndara për prodhim dhe shitje në treg të lirë dhe 70 megavat me çmim të rregulluar.
Çmimi i rregulluar zgjat për 15 vjet dhe do të blihet nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë. Sa i takon Spitallës, gara u mbyll me çmim 29.89 euro/MWh në një ankand të mbajtur gjatë 2021-it.
Parku Fotovoltaik i Spitallës do të ketë kapacitet të instaluar 100 MW, nga të cilat 70 MW do të blihen nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, nëpërmjet një kontrate për blerjen e energjisë me çmim të paracaktuar dhe 30 MË do të tregtohen në treg të lirë. Impianti i Karavastasë prodhoi vitin e shkuar 258,383 MË energji që përbënte 3.2 për qind të prodhimit neto vendas.
Aktualisht Voltalia duket se ka një interes të shtuar për Shqipërinë sa i takon zgjerimit me projekte të reja ku kohëve të fundit ka bërë thirrje për investitorë privatë apo individë që disponojnë truall të cilat kompania mund ti marrë me qira për të zbatuar aty projekte energjie diellore.
/monitor.al