Home / Lajme / Kosova / Pasojat e para nga liberalizimi i tregut: DHTIK kërkon rishqyrtim të politikave dhe masa të menjëhershme

Pasojat e para nga liberalizimi i tregut: DHTIK kërkon rishqyrtim të politikave dhe masa të menjëhershme

Paralajmërimet e Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës (DHTIK) për rritjen e çmimeve të produkteve si pasojë e rritjes së çmimit të energjisë dhe procesit të liberalizimit të tregut po marrin konfirmim edhe nga të dhënat zyrtare.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), çmimet e prodhimit janë rritur me 4,1% në periudhën prill–qershor 2025. Ngritjet më të theksuara u shënuan te energjia elektrike, gazi, avulli dhe furnizimi me ajër të kondicionuar me 16,7%, ndjekur nga shtypja dhe riprodhimi i mediave të incizuara me 9,3%, prodhimi i veshjeve me 6,7%, si dhe sektori i mjeteve motorike me 4,2%.

Në një reagim, DHTIK rikujtoi se kishte paralajmëruar më herët se rritja e menjëhershme e çmimit të energjisë prej 16,1%, e kombinuar me liberalizimin e tregut të energjisë të shoqëruar me shkelje, do të sillte pasoja zinxhirore në koston e prodhimit dhe, rrjedhimisht, në çmimet e produkteve për konsumatorët.

“Rritja e çmimeve e vështirëson edhe më tej konkurrueshmërinë e bizneseve vendore dhe rrezikon ruajtjen e vendeve të punës,” thuhet në njoftimin e DHTIK.

Dhoma kërkon nga institucionet përgjegjëse që të rishqyrtojnë politikat aktuale të çmimeve të energjisë dhe të ndërmarrin masa të menjëhershme për të mbrojtur bizneset dhe qytetarët nga pasojat ekonomike.

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com