Komiteti i Investimeve Strategjike në Shqipri ka vendosur t’i japë statusin “Investim/Investitor Strategjik – Procedurë e Veçantë” projektit të madh energjetik “Parku i Integruar Eolik dhe Fotovoltaik Kiraç”, të propozuar nga kompania “Kirac Green Energy” sh.p.k., pjesë e Kirac Group, një kompani ndërkombëtare me eksperiencë shumëvjeçare në zhvillimin dhe ndërtimin e projekteve energjetike dhe infrastrukturore në 41 vende të botës.
Projekti ka një vlerë investimi prej 129.9 milionë euro dhe synon ndërtimin e një sistemi hibrid gjenerimi me kapacitet të instaluar prej 125 MW, duke kombinuar energjinë e erës dhe atë fotovoltaike. Ky është një nga projektet më të mëdha të këtij lloji në Shqipëri dhe pritet të japë një kontribut të ndjeshëm në sigurinë energjetike të vendit.
Investimi parashikon krijimin e 124 vendeve të reja pune, ndërsa shtrihet në një sipërfaqe prej 269.3 hektarësh, që prek territorin e Bashkisë Lezhë dhe Bashkisë Vau i Dejës. Nga kjo sipërfaqe, 99.2 ha janë në pronësi të Bashkisë Lezhë, 152.7 ha në pronësi të Bashkisë Vau i Dejës, 2.5 ha në pronësi shtetërore, ndërsa 14.9 ha janë pa informacion kadastral.
Procedurat dhe mbështetja shtetërore
Subjekti investues ka nënshkruar më herët kontrata qiraje me Bashkinë Lezhë për vendosjen e anemometrave, me afat 2-vjeçar, për studimin dhe matjen e kushteve të erës. Si pjesë e statusit strategjik, projekti përfiton procedura të përshpejtuara administrative; asistencë për lejet, licencat dhe autorizimet e nevojshme; mundësinë e përdorimit të pasurive të paluajtshme shtetërore, pas dakordësisë së këshillave bashkiakë dhe identifikimit të plotë të pronave të prekura.
Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe institucionet përkatëse do të asistojnë procesin e konsolidimit të pronave dhe përcaktimit të sipërfaqeve që mund të hiqen nga fondi pyjor apo kullosor për realizimin e projektit.
Statusi i investimit strategjik i jepet projektit për një periudhë 3-vjeçare, brenda së cilës parashikohet të përmbyllen të gjitha procedurat dhe të nisë zbatimi i investimit.