Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), në bashkëpunim me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), ka mbajtur sot një dëgjim publik mbi Koncept Dokumentin e Mekanizmit Mbështetës për Energjinë e Ripërtërishme. Dokumenti ishte i hapur për konsultim nga 18 gusht deri më 5 shtator 2025.
Mekanizmi i ri bazohet në Ligjin Nr. 08/L-258 për promovimin e burimeve të ripërtërishme të energjisë dhe synon krijimin e një kornize të qëndrueshme mbështetjeje për këtë sektor. Qëllimi është të sigurohet transparencë dhe të shmangen shtrembërimet në treg, ndërkohë që prodhuesit e energjisë së ripërtërishme të kenë një qasje më të qartë dhe të drejtë në mekanizmat mbështetës.
Një element kyç i dokumentit është funksionimi i Operatorit për Energji të Ripërtërishme, rol që do të ushtrohet nga KOSTT nën licencën e Operatorit të Tregut. Ky operator do të menaxhojë Fondin Mbështetës për Energjinë e Ripërtërishme dhe do të përfaqësojë palët kontraktuese ndaj prodhuesve të energjisë së gjelbër.
Dokumenti gjithashtu përcakton mënyrën e financimit të fondit përmes Obligimit për Energjinë e Ripërtërishme, si dhe procedurat për llogaritjen dhe rishikimin e tij nga ZRRE. Këto procedura do të harmonizohen me procesin e rishikimit tarifor dhe do të lejojnë rishikime të jashtëzakonshme në rrethana të veçanta.
Takimi mblodhi përfaqësues nga furnizimi dhe prodhimi i energjisë, kompanitë e licencuara të transmetimit, tregut dhe shpërndarjes, si dhe banka dhe akterë të tjerë relevantë. Diskutimet u fokusuan në gjetjet, propozimet dhe komentet e pranuara gjatë konsultimit publik, duke e bërë procesin gjithëpërfshirës dhe transparent.
ZRRE ka falënderuar BERZH-in për mbështetjen e vazhdueshme dhe kontributin në avancimin e sektorit të energjisë në Kosovë.