Më 11 shtator 2025 u mbajt takimi i parë i Komitetit Drejtues të projektit “Rezilienca Klimatike në Sektorin e Ujit në Kosovë” (CRWSK), ku u prezantua Raporti Nismëtar. Ky takim shënoi fillimin zyrtar të një programi ambicioz që synon forcimin e kapaciteteve të Kosovës në menaxhimin e ujit dhe energjisë në kushtet e ndryshimeve klimatike.
Takimi u drejtua nga Peter Sidler, zëvendës shef i Zyrës Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë, dhe Vlore Tosuni, zëvendësdrejtore e Njësisë së Politikave dhe Monitorimit të Ndërmarrjeve Publike. Në diskutime morën pjesë edhe përfaqësues nga institucionet kyçe të sektorit, përfshirë Autoritetin Rregullator të Shërbimeve të Ujit, Departamentin e Energjisë, Shoqatën e Kompanive të Ujit të Kosovës (SHUKOS) dhe Fondin e Efiçiencës së Energjisë së Kosovës (KEEF).
Ekipi i projektit u përfaqësua nga Reto Buehler, drejtor i projektit nga kompania EBP, si edhe Ramiz Kokollari dhe Afrim Lajçi, ekspertë për qeverisjen dhe zhvillimin e kapaciteteve.
Pjesëmarrësit e cilësuan takimin si të suksesshëm dhe produktiv, duke hapur rrugën për miratimin e Raportit Nismëtar dhe nisjen e aktiviteteve konkrete. Projekti do të fokusohet në rritjen e reziliencës klimatike, reduktimin e humbjeve të ujit (NRW), efiçiencën e energjisë dhe zgjerimin e përdorimit të energjisë së ripërtëritshme në sektorin e ujit.
Ky është hapi i parë drejt një qasjeje më të qëndrueshme dhe më efikase në menaxhimin e burimeve ujore të Kosovës, me mbështetjen e Zyrës Zvicerane për Bashkëpunim.