Home / Lajme / Rajoni / Pas rritjes së turizmit në Shqipëri, BERZH kërkon më shumë fokus tek kanalizimet, mbetjet dhe ndotja

Pas rritjes së turizmit në Shqipëri, BERZH kërkon më shumë fokus tek kanalizimet, mbetjet dhe ndotja

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka gati strategjinë 5-vjeçare për Shqipërinë, e cila përkon me procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Europian.

Kjo strategji do të fokusohet në përmirësimin e klimës ekonomike, tranzicionin drejt një ekonomie të gjelbër dhe rritje të konkurrueshmërisë së bizneseve.

Ekaterina Solovova, gjatë një interviste për emisionin E-ZONE, në Vizion Plus thekson se edhe në strategjinë e re të miratuar, energjia e rinovueshme, forcimi i rrjetit aktual të energjisë, sektori hekurudhor do të jenë shtyllat kryesore të mbështetjes.

“Një nga arritjet më të rëndësishme është programi ynë i energjisë së rinovueshme, i cili është një shembull konkret se si asistenca teknike dhe financimet plotësojnë njëri-tjetrin. Përmes këtij programi ne mbështesim qeverinë në organizimin e katër ankandeve të suksesshme (tre për energji diellore dhe një për energjinë e erës), duke siguruar mbi 800 MW kapacitet të ri energjie të rinovueshme që do të gjenerohet nga sektori privat. Vijuam pastaj  me financimin e parkut të parë fotovoltaik në Karavasta në vitin 2023 si dhe po punojmë duke mbështetur implementimin e projekteve të tjera. Një tjetër sukses është përparimi i ndjeshëm në rehabilitimin e sektorit hekurudhor dhe lehtësimi i qasjes së financimeve për bizneset përmes programeve të ndryshme në bashkëpunim me bankat partnere në vend. Pra, këto janë në thelb ato që ne kemi arritur në 5 vitet e shkuara”, tha znj. Solovova.

BERZH është prezente  në disa projekte në Shqipëri. Pjesa më e madhe e mbështetjes shkon tek bizneset, më pas tek infrastruktura dhe pjesa e mbetur tek institucionet financiare.

Por, kush janë sektorët më potencial për rritjen ekonomike? Pas një rritje të qëndrueshme të turizmit, BERZH thotë se investimet duhet të orientohen në këto tre fusha.

“Rritja e shpejtë e vizitorëve sjell në vëmendje çështjet e qëndrueshmërisë. Qëndrueshmërinë e rritjes, por edhe të zhvillimit afatgjatë të sektorit. Edhe pse rritja në ndërtim dhe pasuri të paluajtshme pritet të stabilizohet, një sektor turizmi i menaxhuar mirë ka potencialin të nxisë rritje afatgjatë në ekonomi. Pyetja është ku duhet të fokusohemi tani? Me rritjen e numrit të turistëve, presioni mbi shërbimet e ujit dhe menaxhimin e mbetjeve, si dhe ndotja, po shndërrohen në sfida kyçe që do të duhet të adresohen për të siguruar qëndrueshmërinë e industrisë së turizmit. Fokusi duhet të jetë në këtë aspekt. Bukuria natyrore dhe trashëgimia kulturore e Shqipërisë duhet të mbrohen dhe ne po punojmë shumë gjithashtu si me sektorin privat ashtu edhe me atë publik në këtë fushë”, u shpreh Ekaterina Solovova.

Drejtuesja e lartë e BERZH u ndal edhe tek disa nga sfidat me të cilat përballet ekonomia shqiptare, siç është mungesa e fuqisë punëtore. Sipas saj ky është një fenomen jo vetëm shqiptar.

“Mungesa e fuqisë punëtore dhe e fuqisë punëtore të kualifikuar është kthyer në një sfidë për shumë vende në ditët e sotme, pothuaj për gjithë botën. Do të them diçka që edhe tema e raportit tonë të ri të tranzicionit është pikërisht demografia, trendet dhe si i prek fuqinë punëtore në të gjithë ekonomitë dhe si mund të adresohet. Nuk mund të them më shumë sepse raporti është ende duke u përgatitur, por nuk ka shumë gjëra të reja se si ne mund ta adresojmë, por disa nga nismat tona në Shqipëri adresojnë mungesën fuqisë së kualifikuar”, u shpreh znj.Solovova.

Por teksa vendi po përgatitet për tu bërë pjesë e Bashkimit Europian, drejtuesja  e BERZH ka një këshillë për bizneset shqiptare për të përballuar këtë sfidë. Por kush janë tre hapat që duhet të ndiqen?

“Përgatitja për hyrjen në tregjet e përbashkëta të BE është një nga shtyllat e strategjisë sonë si dhe rritja e konkurueshmërisë. Bizneset duhet të investojnë në rritjen e produktivitetit, digjitalizim, automatizim. Duhet të kuptojnë si mund të përfitojnë fonde nga BE apo partneritet me aktorët e tregut të përbashkët, pra partnerë të huaj që sjellin investime të huaja direkte apo know how. Ne do të mbështesim lehtësimin në financime përmes bankave partnere dhe programeve si Go Digital ku bizneset marrin financime për digjitalizim e tyre dhe përfitojnë asistencë teknikë që komplementon financimin,  kemi gjithashtu programe si SME Reboot  që fokusohet tek investimet në konkurueshmëri. Pra ofrojmë një sërë mekanizmash,  asistencë teknike, investime, linja kreditimi dhe mendoj se ato biznese që e shohin sfidën që tani do të ecin sigurisht përpara”, deklaroi Ekaterina Solovova.

Sipas të dhënave, në 5 vitet e fundit BERZH ka investuar 900 mln euro në 90 projekte të rëndësishme në vend, ndërsa ka mobilizuar 300 mln euro grante, nga BE dhe donatorë të tjerë.