Home / Lajme / Ndërkombëtare / Shefi i energjisë së SHBA-së: BE-ja brenda një viti mund të heqë dorë prej gazit rus

Shefi i energjisë së SHBA-së: BE-ja brenda një viti mund të heqë dorë prej gazit rus

Bashkimi Evropian mund të heqë dorë gradualisht prej gazit rus brenda gjashtë deri 12 muajve duke e zëvendësuar me gaz natyror të lëngshëm amerikan. Shtetet e Bashkuara ua kanë komunikuar gjatë javës këtë qëndrim zyrtarëve të BE-së, ka deklaruar të premten (12,.09.2025) për Reutersin sekretari amerikan i Energjisë, Chris Wright.

Wright ka folur në Bruksel, ku është takuar të enjten me Komisionarin e Energjisë të BE-së, Dan Jorgensen.

BE-ja po negocion propozime ligjore për të hequr dorë ngadalë nga importet e naftës dhe gazit rus deri në janar 2028, me ndërprerje të kontratave afatshkurtra që do të hyjë në fuqi nga viti i ardhshëm.

“Mendoj se kjo mund të bëhet lehtësisht brenda 12 muajsh, ndoshta brenda gjashtë muajsh”, ka thënë Wright, kur është pyetur se sa shpejt BE-ja mund të heqë dorë prej gazit rus.

“Unë shpreha patjetër mendimin se mund ta bënim më shpejt. Nga ana e SHBA-së, mund ta bënim më shpejt, dhe mendoj se do të ishte mirë nëse këto data do të shtyheshin edhe më shumë. Nuk e di nëse kjo do të ndodhë, por kjo u diskutua”, ka theksuar ai, duke iu referuar takimit të tij me Jorgensenin. Një zëdhënës i Komisionit Europian nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës së Reutersit për koment.

SHBA-ja po shton presionin ndaj Europës për të ndërprerë të ardhurat nga energjia për Moskën, teksa Uashingtoni po mundohet t’i japë fund luftës në Ukrainë. Si eksporti më fitimprurës i Rusisë, të ardhurat e saj nga derivatet kanë ndihmuar financimin e luftës.

Sipas të dhënave të BE-së, Europa pritet të blejë rreth 13 % të gazit të saj nga Rusia sivjet, nga afërsisht 45 % që ishte para pushtimit të plotë rus të Ukrainës më 2022.