Ekipet e kontrollit të KEDS-it kanë zbuluar një rast të rëndë të vjedhjes së energjisë elektrike në një nga filialet e një pompe të njohur benzine përgjatë magjistrales Prishtinë–Ferizaj.
Pas dyshimeve të para, inspektorët e KEDS-it kanë konstatuar se në objekt ishin lidhur në mënyrë të paligjshme pajisje me konsum të lartë energjie, duke anashkaluar rrjetin zyrtar të furnizimit.
Sipas bilancit të përfunduar nga kompania, dëmi i shkaktuar arrin në 27,646.79 euro, shifër që do të rikuperohet nga KEDS. Rasti tashmë është proceduar edhe në gjykatë, ku pronari i pikës së karburantit do të përballet me pasojat ligjore.
KEDS ka njoftuar se ka intensifikuar kontrollet për parandalimin e keqpërdorimit të energjisë, duke zhvilluar inspektime të rregullta, ditën dhe natën, në të gjithë territorin e Kosovës.