Petrit Pepaj, Drejtor Ekzekutiv i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), gjatë prezantimit të Dokumentit Konceptual për Mekanizmin Mbështetës për Energjinë e Ripërtëritshme, theksoi rëndësinë e krijimit të një kornize transparente dhe të qëndrueshme për integrimin e burimeve të ripërtëritshme në tregun e energjisë.
“Mekanizmi Mbështetës është një hap i rëndësishëm drejt krijimit të një kornize transparente, të drejtë dhe të qëndrueshme për mbështetjen e integrimit të energjisë së ripërtëritshme në tregun e energjisë në Kosovë,” tha Pepaj.
Ai theksoi se diskutimi me palët e interesit u përqendrua në funksionet kryesore të Operatorit për Energji të Ripërtëritshme (REO) dhe Fondit Mbështetës, stabilitetin financiar dhe transparencën për investimet, rolin e prosumatorëve, bizneseve dhe institucioneve në tranzicionin energjetik, si dhe praktikat më të mira ndërkombëtare.
“Një falënderim i madh për të gjithë pjesëmarrësit për kontributet e tyre të vlefshme dhe angazhimin në ndërtimin e një të ardhmeje më të gjelbër dhe më të qëndrueshme energjetike për Kosovën,” u shpreh Pepaj.