Home / Lajme / Rajoni / Shqipëria hap katër kapituj të rinj negociues në Bruksel, vlerësohet për progresin në mjedis dhe klimë

Shqipëria hap katër kapituj të rinj negociues në Bruksel, vlerësohet për progresin në mjedis dhe klimë

Shqipëria hedh një hap tjetër në rrugën e saj evropiane. Në Bruksel sot u hapën për negocim edhe katër kapituj të rinj, të njohur si Grupkapitulli IV. Pjesë e këtij grupkapitulli janë Politika e transportit, Energjia, Rrjetet trans-evropiane dhe Mjedisi e ndryshimet klimatike. Në të njëjtën kohë, Shqipëria u vlerësua për progresin e arritur.

Këta katër kapituj i shtohen 24 të tjerëve të hapur brenda më pak se një viti, ritëm që kryeministri Rama e ka cilësuar si “rekord absolut” në historinë e negociatave. Deri tani, Shqipëria ka çelur 4 nga 6 grupkapituj kryesorë: Themeloret, Marrëdhëniet me Jashtë, Tregun e Brendshëm dhe Konkurrueshmërinë me Rritjen Gjithëpërfshirëse.

Konferenca e ardhshme ndërqeveritare, e planifikuar më 2 tetor, do të përqendrohet tek grupkapitulli i fundit “Bujqësia dhe Kohezioni”.  BE është shprehur optimist se Shqipëria mund të realizojë integrimin e plotë deri në vitin 2030.

Transporti

Legjislacioni i BE-së për transportin synon të përmirësojë funksionimin e tregut të brendshëm duke promovuar shërbime transporti të sigurta, efikase, miqësore me mjedisin dhe të përshtatshme për përdoruesit. Kapitulli i transportit mbulon sektorët e transportit rrugor, hekurudhor, ujërave të brendshme, transportit të kombinuar, aviacionit dhe transportit detar. Ai lidhet me standardet teknike dhe të sigurisë, sigurinë, standardet sociale, kontrollin e ndihmës shtetërore dhe liberalizimin e tregut në kuadër të tregut të brendshëm të transportit.

Energjia

Objektivat e politikës energjetike të BE-së përfshijnë rritjen e konkurrueshmërisë, sigurinë e furnizimit me energji dhe mbrojtjen e mjedisit. Kapitulli i energjisë përbëhet nga rregulla dhe politika që lidhen kryesisht me konkurrencën dhe ndihmën shtetërore (përfshirë sektorin e qymyrit), tregun e brendshëm të energjisë (liberalizimin e tregjeve të energjisë elektrike dhe gazit, nxitjen e burimeve të rinovueshme të energjisë), efiçencën energjetike, energjinë bërthamore si dhe sigurinë bërthamore dhe mbrojtjen nga rrezatimi.

Rrjetet Trans-Europiane

Ky kapitull trajton politikën e Rrjeteve Transevropiane në fushat e transportit, telekomunikacionit dhe infrastrukturës së energjisë, duke përfshirë udhëzimet e Komunitetit për zhvillimin e këtyre rrjeteve si dhe masat mbështetëse për projektet me interes të përbashkët. Krijimi dhe zhvillimi i Rrjeteve Transevropiane, së bashku me nxitjen e ndërthurjes dhe ndërveprimit të duhur të rrjeteve kombëtare, synon të shfrytëzojë plotësisht avantazhet e tregut të brendshëm dhe të kontribuojë në rritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të punës në Bashkimin Evropian.

Mjedisi dhe Ndryshimet Klimatike

Politika e BE-së për mjedisin dhe klimën promovon zhvillimin e qëndrueshëm dhe mbrojtjen e mjedisit për brezat e tanishëm dhe të ardhshëm. Ajo bazohet në veprimin parandalues, parimin “ndotësi paguan”, luftën kundër dëmtimit mjedisor që në burim, përgjegjësinë e përbashkët dhe integrimin e mbrojtjes së mjedisit në politikat e tjera të BE-së.

Në këtë fushë përfshihen mbi 200 akte të rëndësishme ligjore që mbulojnë legjislacionin horizontal, cilësinë e ujit dhe të ajrit, menaxhimin e mbetjeve, mbrojtjen e natyrës, kontrollin e ndotjes industriale dhe menaxhimin e rrezikut, kimikatet dhe organizmat e modifikuar gjenetikisht (OMGJ), ndotjen akustike, pylltarinë dhe ndryshimet klimatike.

Zbatimi i kapitullit kërkon investime të konsiderueshme. Një administratë e fortë dhe e pajisur mirë, si në nivel kombëtar ashtu edhe lokal, është thelbësore për zbatimin dhe forcimin e legjislacionit mjedisor të BE-së.

Shqipëria vlerësohet për progresin e arritur

Shqipëria ka arritur një nivel të avancuar përputhjeje me legjislacionin e Bashkimit Evropian në disa fusha kyçe, sipas pozicionit të përbashkët të BE-së për grupkapitullin 4, të miratuar më 16 shtator nga shtetet anëtare.

Në fushën e mjedisit dhe ndryshimeve klimatike, raporti vlerëson që Shqipëria ka përshtatur legjislacionin horizontal, ka forcuar kuadrin për vlerësimet e ndikimit në mjedis, dhe ka përmbushur kërkesat për pjesëmarrje publike dhe konsultime ndërkufitare, veçanërisht për projektet infrastrukturore.

Vendi është në përputhje me direktivën INSPIRE për infrastrukturën e të dhënave hapësinore dhe ka progresuar në luftën ndaj krimeve mjedisore, përfshirë ndotjen, trafikimin e mbetjeve dhe dëmtimin e habitateve.

Në lidhje me mbrojtjen e natyrës, Shqipëria ka hequr dispozitat e kontestuara ligjore mbi zonat e mbrojtura, ka dorëzuar listën e zonave Natura 2000 dhe ka ngritur strukturat për menaxhimin efektiv të tyre.

Gjithashtu, është konfirmuar përputhja e lartë me acquis për mbrojtjen e ajrit, përfshirë miratimin e një Programi Kombëtar për Kontrollin e Ndotjes së Ajrit.

Në fushën e klimës, Shqipëria është vlerësuar për ligjin për klimën, strategjinë afatgjatë për neutralitetin klimatik deri në 2050 dhe për përafrimin me Sistemin e Tregtimit të Emisioneve të BE-së (EU ETS).

Është përmendur gjithashtu gatishmëria për zbatimin e mekanizmit CBAM dhe përparimi në ngritjen e sistemit të monitorimit, raportimit dhe verifikimit për sektorët përkatës, përfshirë edhe transportin detar.

Në kapitullin e energjetikës, Shqipëria ka përmbushur përafrimin me legjislacionin për tregun e brendshëm të energjisë, për eficiencën energjetike, energjinë e rinovueshme, si dhe për stoqet emergjente të naftës dhe menaxhimin e krizave në sektorin e energjisë elektrike.

Në transport, është vlerësuar funksionalizimi i autoriteteve rregullatore të pavarura, përputhja me direktivat për sigurinë rrugore, transportin hekurudhor dhe ajror, dhe largimi nga “lista gri” për sigurinë detare.

Në kapitullin për Rrjetet Transevropiane, Shqipëria ka përafruar legjislacionin me rregulloren TEN-E dhe TEN-T, ka identifikuar projektet prioritare me Komisionin Evropian dhe ka bërë përparim në Korridorin Ballkan Perëndimor – Mesdheu Lindor.