Home / Lajme / Rajoni / Shoqatat paralajmërojnë BE-në: “Burimet e ripërtëritshme nuk kanë të ardhme në Kroaci”

Shoqatat paralajmërojnë BE-në: “Burimet e ripërtëritshme nuk kanë të ardhme në Kroaci”

Shoqata e Burimeve të Ripërtëritshme të Kroacisë (RES Croatia), së bashku me SolarPower Europe dhe WindEurope, i kanë dërguar një letër Komisionit Europian duke ngritur alarmin për krizën e thellë në sektorin e energjisë së gjelbër në vend.

Sipas tyre, prej disa vitesh janë bllokuar rreth 60 projekte për investime në energjinë diellore, erën, gjeotermale dhe në bateri, me një kapacitet të përgjithshëm prej 3.5 GW dhe një vlerë investimi prej 3 miliardë eurosh. Nëse situata nuk ndryshon urgjentisht, paralajmërohet se deri në javën e ardhshme projekte me kapacitet 2.5 GW mund të braktisen përfundimisht.

Rreziku për objektivat e BE-së

Letra thekson se Kroacia rrezikon të humbasë investime miliardëshe, të rrisë varësinë nga importet e karburanteve fosile – të cilat tashmë tejkalojnë 25% – dhe të dështojë në përmbushjen e objektivit kombëtar dhe europian për të paktën 42.5% të konsumit të energjisë nga burimet e ripërtëritshme deri më 2030.

Sektori ndërkohë përballet edhe me përfundimin e subvencioneve për çmimin e energjisë për qytetarët dhe bizneset, ndërsa zhvillimi i projekteve të reja të ripërtëritshme është në ngërç të plotë.

Pengesa kryesore: tarifa e lidhjes me rrjet

Që prej vitit 2022, projektet e mëdha mbi 10 MW kanë ngecur, pasi Agjencia Kroate e Rregullimit të Energjisë nuk ka vendosur ende tarifën e lidhjes me rrjet për centralet e reja. Operatorët akuzojnë HOPS, operatorin e transmetimit, se po tenton t’ua faturojë projekteve të reja kostot e modernizimit të rrjetit të planifikuara një dekadë më parë, duke i bërë ato 30-40% më të shtrenjta dhe jo të leverdishme.

Në mars, ministri kroat i ekonomisë pati premtuar se tarifa e re do të ishte 0 euro/kW dhe se do të ofroheshin kontrata fleksibël për nxitjen e investimeve në bateri, por deri më sot premtimi nuk është realizuar.

Mungesa e tregut funksional të balancimit

Një tjetër problem është tregu jo-funksional i balancimit. Sipas letrës, HEP Proizvodnja – pjesë e kompanisë shtetërore HEP – dominojnë shërbimet e balancimit, ndërsa HOPS, i cili është ligjërisht i obliguar të sigurojë një treg të hapur, është vetë në pronësi të HEP. Ky konflikt interesi, sipas shoqatave, pengon konkurrencën dhe mban çmimet artificialisht të larta.

Industria vendase humb konkurrueshmërinë

Përveç kësaj, kompanitë vendore nuk kanë mundësi të nënshkruajnë kontrata afatgjata (PPA) me prodhuesit e rinovueshëm, gjë që i pengon të sigurojnë energji më të lirë dhe të rrisin konkurrueshmërinë në tregjet europiane dhe globale.

Pa plan serioz për elektrifikimin

Letra nënvizon gjithashtu mungesën e një plani të qartë për elektrifikimin në Kroaci. Në vitin 2022, energjia e rinovueshme përbënte vetëm 2.4% të konsumit final të energjisë në transport, ndërsa energjia elektrike nga burimet e ripërtëritshme vetëm 0.2%. Kjo përqindje mbetet shumë më e ulët se objektivat e BE-së.

“Pa një zhbllokim të menjëhershëm, Kroacia rrezikon të mbetet prapa në tranzicionin energjetik, duke humbur investime strategjike dhe duke thelluar varësinë nga importet fosile,” theksohet në letrën e përbashkët të RES Croatia, SolarPower Europe dhe WindEurope.