Home / Lajme / Rajoni / A do të bëhet Shqipëria lider rajonal për energji të ripërtëritshme!? Ky është programi i qeverisë së re!

A do të bëhet Shqipëria lider rajonal për energji të ripërtëritshme!? Ky është programi i qeverisë së re!

Shqipëria synon të pozicionohet si një lider rajonal në prodhimin dhe eksportimin e energjisë së rinovueshme deri në vitin 2030.

Sipas programit të ri të qeverisë, miratuar në Kuvend, vendi do të shtojë kapacitetet e prodhimit nga burime të rinovueshme çdo vit, duke arritur një total prej 1500 MW deri në vitin 2030. Një nga projektet kryesore është ndërtimi i parkut më të madh eolik në Tropojë, me kapacitet prej 600 MW.

Po ashtu, qeveria ka planifikuar rijetësimin e Termocentralit të Vlorës (TEC), përmes konvertimit në gaz natyror, duke shtuar 250 MW të tjerë në kapacitetin prodhues të vendit. Ky do të lidhet me Gazsjellësin Transadriatik (TAP), duke rritur sigurinë energjetike dhe diversifikimin e burimeve të energjisë.

Në planin afatgjatë, një tjetër hap i rëndësishëm është gazifikimi i qytetit të Korçës dhe investime të tjera për përmirësimin e rrjetit të transmetimit të gazit natyror.

Gjithashtu, konvertimi i TEC-eve lundruese në gjirin e Vlorës nga nafta në gaz natyror do të ulë ndotjen dhe do të rrisë sigurinë energjetike të vendit.

Për të forcuar lidhjet rajonale, qeveria planifikon ndërtimin e lidhjeve të reja të interkoneksionit me Greqinë, Maqedoninë e Veriut, dhe Kosovën. Po ashtu planifikon të nisë ndërtimin e linjës së re nënujore Shqipëri-Itali për integrim të plotë në tregun europian të energjisë.

Në drejtim të sigurisë energjetike, qeveria ka parashikuar zhvillimin e projekteve të depozitimit energjetik, siç janë ato në Koman dhe Fierzë, si dhe në kaskadën e Devollit. Këto projekte do të krijojnë një rezervë strategjike energjie, duke garantuar furnizim pa ndërprerje edhe gjatë periudhave të pasigurta për burimet rinovueshme.

Investimet në vitet e fundit kanë bërë të mundur dyfishimin e kapaciteteve energjetike, nga 1768 MW në 3298 MW, si dhe uljen e humbjeve në shpërndarje nga 50% në 17%.

Në fushën e burimeve të rinovueshme, Shqipëria ka bërë hapa para në linjë me politikat europiane për integrimin e burimeve të rinovueshme. Centrali fotovoltaik i Karavastasë me kapacitet 140 MW është sot investimi më i madh i këtij lloji në vend, ndërkohë që janë shtuar 1300 MW kapacitete të reja nga burimet diellore dhe burime të tjera të gjelbra.

Si rezultat, 10% e energjisë së prodhuar sot vjen nga fotovoltaikët, duke diversifikuar burimet, ulur varësinë nga hidrocentralet dhe klasifikuar sistemin energjetik ndër më të qëndrueshmit në nivel global.

Në planin institucional, është krijuar Bursa Shqiptare e Energjisë (ALPEX) dhe janë forcuar interkonjeksionet rajonale, duke integruar vendin më ngushtë me tregjet europiane të energjisë.