Komisioni Evropian ka miratuar të premten një paketë të re sanksionesh ndaj Rusisë, e 19-ta me radhë, ka konfirmuar zëdhënësja kryesore e komisionit, Paula Pinho.
Detajet po prezantohen në konferncë për shtyp nga presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen, dhe shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas.
Sipas Reuters, një nga vendimet kryesore është ndalimi i importeve të gazit të lëngshëm natyror (LNG) nga Rusia duke filluar më 1 janar 2027 – një vit më herët sesa ishte planifikuar fillimisht. Ky vendim shihet si hap i rëndësishëm në drejtim të shkëputjes nga varësia energjetike ndaj Moskës.
Zëdhënësja për energji e BE-së, Anna-Kaisa Itkonen, ka dhënë më shumë detaje për vendet që ende importojnë gaz rus në formë të LNG apo përmes gazsjellësve. Ajo ka konfirmuar se tetë shtete anëtare janë ende në këtë grup: Belgjika, Franca, Greqia, Hungaria, Holanda, Portugalia, Sllovakia dhe Spanja.
Ky zhvillim vjen në një kohë kur rritet presioni nga presidenti amerikan Donald Trump, i cili ka kritikuar vazhdimisht Bashkimin Evropian dhe vendet e NATO-s për mosheqjen e plotë të importeve të energjisë nga Rusia. Vendimi i sotëm i Komisionit shihet si shenjë se vërejtjet e Trumpit po japin efekt, duke përshpejtuar kursin e BE-së drejt ndarjes nga burimet ruse të energjisë.