Gjatë dekadave të fundit, klima në Shqipëri ka pësuar ndryshime të dukshme, duke u zhvendosur gjithnjë e më shumë drejt kushteve kontinentale dhe më të thata. Një studim i fundit, që krahason klimën e sotme me atë të para 30 vitesh, tregon se ndikimi i klimës mesdhetare në Ballkan është zbehur ndjeshëm, ndërsa kushtet kontinentale po shtrihen me shpejtësi drejt jugut dhe lindjes së rajonit. Në vendin tonë, sipërfaqja me klimë kontinentale është rritur nga vetëm 1.3% në periudhën 1960–1990 në mbi 16% gjatë tre dekadave të fundit.
Rreth 30 vite më parë, zona si Shqipëria, Greqia, Mali i Zi dhe pjesë të Bosnjës e Kroacisë karakterizoheshin kryesisht nga një klimë e moderuar mesdhetare, falë afërsisë me detet Adriatik, Jon, Egje dhe Detin e Zi. Ndërkohë, klima kontinentale mbizotëronte më shumë në zonat e brendshme të Maqedonisë së Veriut, Serbisë e Bullgarisë, si dhe në fushat bujqësore të Rumanisë.
Por pas tre dekadash, tabloja klimatike e rajonit ka ndryshuar ndjeshëm. Një studim i fundit tregon një zgjerim të sipërfaqeve me klimë kontinentale në Bullgari, Serbi, Rumani, Maqedoni të Veriut, Shqipëri dhe Greqi. Në Shqipëri, për shembull, zona që dikur ndiheshin nën ndikimin e fortë të klimës mesdhetare, sot shfaqin gjithnjë e më shumë tipare kontinentale. Në Greqi dhe Maqedoninë e Veriut, sipërfaqet me klimë të thatë e gjysmë të thatë janë rritur ndjeshëm. Ndërsa në brigjet e Malit të Zi dhe Shqipërisë, ndikimi i klimës mesdhetare është dobësuar dukshëm krahasuar me dekadat e shkuara.
Studimi evidenton gjithashtu një zhvendosje të periudhës së thatësirave. Në të kaluarën, muajt e thatë shfaqeshin kryesisht në janar ose shkurt, por sot ato përqendrohen gjatë verës, me kulm në korrik dhe gusht. Kjo tendencë është më e dukshme në Shqipëri, Greqi, Mal të Zi, Bosnjë dhe Serbi, ku thatësira dhe temperaturat e larta po ushtrojnë presion të madh mbi bujqësinë dhe ekosistemet natyrore.
Vera e tre viteve të fundit në Shqipëri ka rezultuar ndër më të nxehtat e dekadës, duke reflektuar qartë ndikimin e ndryshimeve klimatike në vend. Sipas të dhënave të Sistemit Kombëtar Meteorologjik, muaji korrik gjatë shtatë viteve të fundit (2017–2024) ka shënuar një devijim mesatar prej +2.9°C mbi normën shumëvjeçare (1961–1990), ndërsa në disa zona ky devijim ka arritur deri në +4.4°C. Gushti 2024 ishte edhe më i nxehtë, duke regjistruar një rritje mesatare prej +3.15°C mbi normën. Përveç temperaturave të larta, reshjet kanë pësuar një rënie të ndjeshme. Në shtatë vitet e fundit sipas IGJEO, ato kanë rënë mesatarisht me 6.4%, ndërsa vetëm në korrikun e vitit 2024 u shënua një deficit i madh, me 48% më pak reshje se mesatarja shumëvjeçare. Numri i ditëve me shi në shtatë vitet e fundit gjithashtu ka rënë ndjeshëm, me një ulje prej rreth 13.8%.
Edhe në shkallë kontinentale, vera e këtij viti u karakterizua nga temperatura të larta. Më shumë se 80% e Evropës regjistroi vlera mbi mesataren e periudhës 1991–2020. Deviacionet më të mëdha, deri në 2–3°C mbi normë, u regjistruan në Evropën Perëndimore dhe veçanërisht në Ballkan. Vendet e rajonit, përfshirë Shqipërinë, shënuan kështu verën e tretë më të nxehtë në histori.
Në mënyrë të përgjithshme duket se Evropa Juglindore po përjeton një dyzim klimatik: nga njëra anë rritet ndikimi i kushteve kontinentale në pjesën qendrore e lindore të rajonit; nga ana tjetër, përhapja e klimës së thatë e gjysmë të thatë po prek gjithnjë e më shumë zonat bregdetare. Kjo e bën rajonin një nga më të ekspozuarit ndaj zhvendosjeve klimatike të shkaktuara nga ngrohja globale.
Në katër dekadat e fundit, ekstremet e temperaturave të larta janë rritur me gati 2% për çdo dekadë, ndërsa thatësirat ekstreme janë shtuar me afro 4% për dekadë. Edhe reshjet ekstreme janë bërë më të shpeshta në zonën Evropë–Mesdhe. Këto zhvillime po ndikojnë drejtpërdrejt në sektorë jetikë si bujqësia, industria dhe menaxhimi i burimeve ujore, duke shtuar rrezikun e krizave sociale dhe ekonomike në të ardhmen.
Projeksionet klimatike tregojnë se deri në mesin e shekullit, temperatura mesatare vjetore në Evropë mund të rritet deri në 2.5°C. Njëkohësisht, avullimi–transpirimi pritet të shtohet me rreth 534 mm, duke sjellë humbje edhe më të mëdha të ujit nga toka. Rajonet e Evropës Jugore, përfshirë Gadishullin Ballkanik, Rumaninë dhe Bullgarinë, rrezikojnë të bëhen më të thata dhe aride deri në fund të shekullit XXI, me pasoja serioze për furnizimin me ujë dhe sigurinë ushqimore.
Në periudhën 1964–1993, Evropa Juglindore karakterizohej kryesisht nga ndikimet oqeanike. Zonat bujqësore dhe natyrore në Shqipëri, Mal të Zi, Bosnje, Kroaci dhe Greqi përjetonin klimë të moderuar mesdhetare.
Pas vitit 1994, tabloja ka ndryshuar ndjeshëm. Të dhënat tregojnë një rritje të madhe të sipërfaqeve me klimë kontinentale në Bullgari, Serbi, Rumani, Maqedoni të Veriut dhe në pjesë të Greqisë e Shqipërisë. Në Shqipëri, zonat natyrore me klimë kontinentale u rritën nga vetëm 1.3 % në periudhën 1960–1990 në mbi 16 % gjatë tre dekadave të fundit. Në Maqedoninë e Veriut kjo përqindje u rrit nga 44 % në pothuajse 69 %.
Ndërkohë, zonat që dikur konsideroheshin të lagështa ose mesatarisht të lagështa, si Shqipëria, Mali i Zi, Bosnja, Kroacia dhe Rumania, po shndërrohen gradualisht në zona gjysmë të thata dhe mesatarisht të thata. Kjo do të thotë më pak reshje, më shumë periudha pa ujë dhe vështirësi në mbajtjen gjallë të biodiversitetit.
Ndryshimet klimatike në Evropën Juglindore përkthehen jo vetëm në transformim të kushteve natyrore, por edhe në pasoja të drejtpërdrejta ekonomike dhe shoqërore. Thatësirat e gjata po thajnë tokat bujqësore, po ulin rendimentet dhe po rrisin kërkesën për ujë. Zonat që dikur mbështeteshin te ndikimi mesdhetar për të ruajtur një klimë të butë, si Shqipëria apo Greqia, po e humbasin gradualisht këtë “mburojë natyrore”.
Ekspertët paralajmërojnë se, nëse trendi vazhdon, deri në fund të shekullit territoret e thata dhe gjysmë të thata do të zgjaten edhe më shumë drejt veriut dhe lindjes së Evropës Juglindore. Kjo nënkupton presion më të madh mbi bujqësinë, furnizimin me ujë dhe biodiversitetin, duke e bërë të domosdoshme marrjen e masave të menjëhershme për përshtatje ndaj ndryshimeve klimatike.
/klima.al