Home / Lajme / Kosova / Paralajmëron Mulaj: Do të ketë rritje të vazhdueshme të energjisë elektrike

Paralajmëron Mulaj: Do të ketë rritje të vazhdueshme të energjisë elektrike

Njohësi i çështjeve të energjisë, Ismet Mulaj, paralajmëron se rritja e çmimit të energjisë elektrike është pothuajse e pashmangshme për dy arsye kryesore.

Së pari, Kosova nuk ka ndërtuar kapacitete të reja gjeneruese, duke e bërë vendin të varur nga importi i energjisë. Së dyti, menaxhimi i dobët i termoelektranave aktuale ka krijuar efikasitet të ulët dhe humbje në prodhim.

‘’Kam paralajmëruar edhe më herët që do të ketë rritje të vazhdueshme të energjisë elektrike për dy arsye, e para që nuk kemi gjeneruar kapacitetet të reja do të thotë nuk kemi ndërtuar kapacitete të reja gjeneruese, pra në mungesë të prodhimit Kosova varet nga importi dhe së dyti për shkak të keq menaxhimit të termoelektranave aktuale’’, tha për FrontOnline Mulaj.

Mulaj shton se sektori përballet edhe me keq menaxhim nga institucionet përkatëse, përfshirë manipulime dhe keqpërdorime, duke u bërë kështu një tjetër faktor që nxit rritjen e çmimit të rrymës.

‘’Duhet shtuar edhe keq menaxhimin e këtij sektori nga institucionet përkatëse sepse si duket ka edhe manipulime e keq përdorime në këtë sektor’’, tha Mulaj

Ai thotë se kjo situatë prek çdo familje në Kosovë, duke ulur motivimin e të rinjve, që shpesh zgjedhin të largohen nga vendi.

‘’Rritja e çmimit të rrymës një nga artikujt kryesor në secilën familje po i fut në depresion familjet dhe po i largon të rinjtë nga vendi duke ua humbur dëshirën të punojnë për këtë vend ‘’, tha ai për Front Online.