Home / Lajme / Rajoni / Shoqëria “ERALB INVEST” aplikon për ndërtimin e impiantit eolik në Tropojë

Shoqëria “ERALB INVEST” aplikon për ndërtimin e impiantit eolik në Tropojë

Shoqëria “ERALB INVEST” ka paraqitur pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë një aplikim për ndërtimin e një impianti eolik me kapacitet të instaluar prej 603.9 MW, për prodhimin e energjisë elektrike nga burime të rinovueshme, në zonën e Tropojës.

Ky projekt nuk është objekt koncesioni dhe nuk përfiton nga masat mbështetëse shtetërore.

Vetëm pak ditë më parë, zëvendëskryeministrja dhe njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, deklaroi se ky është një ndër projektet më të mëdha energjetike në Europë dhe ndodhet aktualisht në fazën e procedurave të autorizimit dhe financimit. Sipas saj, projekti mbështetet nga një nga kompanitë më të mëdha amerikane në fushën e energjisë.

Impianti i erës në Tropojë konsiderohet si një nga projektet kyçe që do të kontribuojë në objektivin afatgjatë të Shqipërisë për të bërë energjinë e gjelbër një shtyllë të zhvillimit ekonomik, duke nxitur burimet e ripërtëritshme dhe krijuar mundësi të reja për investitorët ndërkombëtarë.

Në vitin 2023, kompania “ERALB INVEST” aplikoi pranë Komitetit të Investimeve Strategjike (KIS) për marrjen e statusit “investim strategjik” për projektin e kombinuar eolik dhe fotovoltaik në të njëjtën zonë, me kapacitet të përgjithshëm të instaluar prej 826 MW.

Aplikimi i fundit i paraqitur pranë Ministrisë përfshin vetëm impiantin eolik.

Investimi total, përfshirë edhe impiantin fotovoltaik, sipas aplikimit në KIS, parashikohej në vlerën 1,2 miliardë euro, dhe do të shtrihej në një sipërfaqe prej 384.6 hektarësh, që përfshin fshatrat Viçidol, Berishë, Luzhë dhe Pac, në bashkinë e Tropojës.