Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka bërë të ditur se vendi i tij ka rritur pjesën e energjisë së rinovueshme në kapacitetin total të instaluar në mbi 60 për qind që nga ky vit, raporton Anadolu.
“Derisa rrisim pjesën e energjisë së rinovueshme dhe përmirësojmë efikasitetin e energjisë, ne po zgjerojmë teknologjitë me karbon të ulët në industri. Që nga ky vit, ne e kemi rritur pjesën e energjisë së rinovueshme brenda kapacitetit total të instaluar deri në më shumë se 60 për qind,” tha presidenti Erdoğan në Samitin e OKB-së për Klimën në New York.
Presidenti turk theksoi përpjekjet për të forcuar infrastrukturën, duke përfshirë prodhimin e automjeteve elektrike dhe investimet në hekurudha.
“Në përputhje me objektivin tonë të emetimeve zero neto për vitin 2053, ne do të vazhdojmë të transformojmë sektorët kryesor”, shtoi ai.
Erdoğan detajoi iniciativat e vazhdueshme të Turqisë, duke përfshirë planet për të krijuar një sistem tregtimi të emetimeve, për të zbatuar një strategji të financimit të gjelbër dhe për të krijuar një taksonomi kombëtare të gjelbër.
Ai tha se politika e klimës së vendit është ndërtuar mbi shtatë shtylla, respektivisht energjia, industria, ndërtesat, transporti, mbeturinat, bujqësia dhe pylltaria.
“Përmes politikave që do të zbatohen në ekonomi, ne synojmë të arrijmë një ulje të emetimeve prej 466 milionë tonësh deri në vitin 2035 dhe të ulim emetimet tona në 643 milionë tonë”, tha Erdoğan.
Ai shprehu shpresën se Turqia mund të presë samitin COP31 në vitin 2026.