Në Vjenë ka nisur punimet Forumi i 20-të i Gazit i Komunitetit të Energjisë, duke mbledhur qeveritë, rregullatorët, operatorët e sistemeve të transmetimit, përfaqësues të industrisë dhe Palët Kontraktuese nga Evropa Juglindore e Lindore, së bashku me institucionet e BE-së.
“Që nga momenti kur u nënshkrua Traktati i Komunitetit të Energjisë njëzet vjet më parë, ky Forum ka qenë një shtyllë e arkitekturës sonë – duke reflektuar rolin qendror të gazit në të ardhmen tonë të përbashkët energjetike,” theksoi Marie-Therese Richter-Kuhnert, zëvendësdrejtore e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, gjatë hapjes së Forumit.
Në prag të këtij jubileu, Sekretariati i Komunitetit të Energjisë publikoi edhe një intervistë me drejtuesit e ekipit të gazit, duke nënvizuar pse ky edicion është një moment kyç.
Shefi i sektorit të gazit, Predrag Grujičić, dhe anëtarët e ekipit, Branislava Marsenić Maksimović, Karolina Čegir dhe Peter Hlušek, theksuan rëndësinë e gjithëpërfshirjes që e dallon Forumin: “Ministritë e energjisë, rregullatorët, operatorët, tregtarët, shoqëria civile dhe institucionet e BE-së ulen në të njëjtën tryezë. Kjo shumëllojshmëri zërash është vendimtare në një kohë ndryshimesh të thella në peizazhin energjetik të Evropës.”
Sipas tyre, tranzicioni nga varësia prej gazit rus mbetet sfida kryesore. Me planin e BE-së për ta ndaluar importin e gazit rus deri në vitin 2027, rajoni përballet me boshllëkun prej rreth 15 miliardë metra kub në vit – ekuivalent me konsumin e kombinuar të Hungarisë dhe Sllovakisë.
Për këtë arsye, bashkëpunimi rajonal dhe zbatimi i plotë i kodeve të rrjetit janë parë si hapa të shpejtë për të forcuar sigurinë, për të hapur rrugë të reja furnizimi dhe për të integruar tregjet.
Forumi, i cili shënon 20 vjet nga mbledhja e parë e mbajtur pas konflikteve të rajonit, synon të kthejë sfidat e përbashkëta në zgjidhje të përbashkëta – duke u bërë platformë për siguri, integrim dhe një tranzicion të drejtë drejt energjisë së pastër.