Kompania KEDS po realizon një projekt të rëndësishëm në komunën e Klinës, ku ekipi i mirëmbajtjes është duke instaluar një trafostacion të ri me kapacitet 250 kVA. Krahas tij, po bëhet edhe vendosja e linjave të tensionit të mesëm dhe të ulët, të cilat do të përmirësojnë ndjeshëm furnizimin me energji elektrike në këtë zonë.
Nga ky investim do të përfitojnë rreth 170 konsumatorë, të cilët furnizohen nga trafostacioni i ri. Sipas KEDS, punimet pritet të përfundojnë në javën e parë të tetorit, duke garantuar një furnizim më stabil dhe të qëndrueshëm me energji elektrike për banorët e lagjes.
Punime të ngjashme po zhvillohen edhe në rajonet e tjera të Kosovës. Aktualisht, ekipet e shpërndarjes së energjisë janë aktive në Prishtinë, Ferizaj dhe Gjilan, si pjesë e planeve investive të kompanisë për modernizimin e rrjetit elektrik.