Home / Lajme / Rajoni / Konferenca e katërt vjetore për burimet solare në Maqedoni: Energjia nga dielli është kyçe për sigurimin e pavarësisë energjetike

Konferenca e katërt vjetore për burimet solare në Maqedoni: Energjia nga dielli është kyçe për sigurimin e pavarësisë energjetike

Shoqata e Maqedonisë për energji diellore Solar Maqedonia, sot, mbajti Konferencën e katërt vjetore të energjisë diellore, në të cilën morën pjesë mbi 100 prodhues, ekspertë dhe tregtarë vendas dhe ndërkombëtarë. Konferencën e hapi ministrja e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska, e cila në fjalimin e saj theksoi nevojën për një tranzicion energjetik në vend, duke iu referuar punës së Ministrisë përkatëse. 

“Energjia diellore, si potencial i pashtershëm, është kyçe për të siguruar pavarësinë energjetike. Në Ministri po punojmë për të mbështetur investimet në burime të rinovueshme, për të harmonizuar standardet dhe rregulloret evropiane, për të modernizuar rrjetin elektrik dhe për të krijuar praktika të drejta dhe transparente. Këtë vit po fillojmë me një risi të madhe, për herë të parë po prezantojmë zbatimin praktik të ligjit dhe përgatitjen e një plani vjetor për zhvillimin e sistemit energjetik. Me këtë proces, shteti definon qartë prioritetet për ndërtimin e kapaciteteve të reja”, potencoi Bozhinovska. 

Plani, tha, do të thotë më shumë transparencë dhe parashikueshmëri, garantimin e sigurisë ligjore për investitorët, definimin e nevojave për ndërhyrje në rrjet, si dhe përpunimin teknik të secilës iniciativë në një fazë të hershme. 

“Në vijim është përpunimi i një plani, i cili do të na tregojë në hollësira gjendjen e rrjetit tonë. Paralelisht, po përgatisim Ligjin e ri për burimet e energjisë së rinovueshme, duke ndjekur shembullin e standardeve më të fundit nga Bashkimi Evropian. Me të, për herë të parë, do të definojmë qartë objektivat kombëtare, do të prezantojmë praktika dhe rregullore të reja, do të mbështesim integrimin rajonal për të hapur hapësirë ​​për bizneset e energjisë për qytetarët dhe kompanitë”, tha Bozhinovska. 

Në vitet e ardhshme, shtoi, shteti duhet të fillojë të investojë masivisht në ruajtjen e energjisë, sepse, siç tha, pa bateri rrjeti tashmë po arrin limitet e tij. Sipas ministres, transformimi i energjetikës nuk mund të udhëhiqet vetëm nga shteti, por, siç tha, kompanitë duhet të marrin përgjegjësi dhe të investojnë në sisteme që mbrojnë rrjetin. 

“Në vitet e ardhshme, duhet të fillojmë të investojmë masivisht në ruajtjen e energjisë, sepse pa bateri, rrjeti tashmë po arrin limitet e tij. Jam e sigurtë që e dini çfarë po ndodh në Portugali dhe Spanjë, ne nuk duam që kjo të ndodhë këtu. Ky transformim nuk mund të udhëhiqet vetëm nga shteti: kompanitë kanë detyrimin të ndërtojnë dhe të marrin përgjegjësinë për të investuar në praktika dhe sisteme të qëndrueshme, të cilat e mbrojnë rrjetin. Kjo është arsyeja pse kjo Konferencë është e rëndësishme, sepse ka ekspertë, kompani, institucione dhe partnerë ndërkombëtarë”, tha Bozhinovska. 

Kryetari i Shoqatës së Asoacionit diellor, Ilija Nasov, theksoi se misioni i tyre është të bashkojnë prodhuesit, kontraktorët, importuesit dhe tregtarët, si dhe të nxisin lidhjet midis ekspertëve dhe hulumtuesit nga një spektër i gjerë disiplinash shkencore me qëllim promovimin e përdorimit në rritje të burimeve të energjisë së rinovueshme. 

“Aktivisht marrim pjesë si partner i delegacioneve të biznesit në ngjarje kryesore ndërkombëtare, siç janë Intersolari në Mynih dhe Ki Enerxhi Ekspo në Rimini, ku përfaqësojmë kompanitë kryesore të instalimit dhe tregtisë nga rajoni. Konferenca e tretë vjetore e energjisë diellore ishte një sukses i madh, duke tërhequr mbi 200 pjesëmarrës nga më shumë se 15 vende, së bashku me 12 panelistë të shquar dhe tetë prezantime komerciale nga kompani të njohura vendase dhe ndërkombëtare. Kjo ngjarje është vendosur si një platformë kyçe për rrjetëzimin dhe shkëmbimin e informacionit në kuadër të industrisë”, tha Nasov.