Home / Lajme / Mjedisi / Drini i Bardhë nën presion: A do ta shpëtojë Kosova këtë pasuri natyrore?

Drini i Bardhë nën presion: A do ta shpëtojë Kosova këtë pasuri natyrore?

Pellgu i Drinit të Bardhë, një nga pasuritë më të rëndësishme ujore të Kosovës, po përballet me sfida serioze që mund të kthehen në krizë kombëtare uji në dekadat e ardhshme. Sipas ‘Ec Ma Ndryshe’, ndotja, shfrytëzimi i pakontrolluar dhe degradimi i mjedisit po rrezikojnë jo vetëm furnizimin me ujë të pijshëm, por edhe ekosistemet, bujqësinë dhe zhvillimin ekonomik të komuniteteve përgjatë lumit.

Drini i Bardhë furnizon pjesën më të madhe të vendit me ujë të pijshëm, siguron vaditje për bujqësinë, energji dhe ofron habitat për florën dhe faunën e pasur të zonës. Përveç vlerave natyrore, ai ka edhe rëndësi kulturore dhe historike, duke u lidhur ngushtë me jetën e përditshme të komuniteteve përgjatë rrjedhës së tij.

Megjithatë, pasuria ujore përballet me ndotje nga ujërat e zeza dhe mbetjet industriale, për shkak të mungesës së impianteve për trajtimin e tyre dhe abuzimeve nga industria. Shfrytëzimi i pakontrolluar i ujërave nga ujësjellësit, bujqësia dhe industria pa licencë dhe monitorim po rrezikon balancën ekologjike dhe po krijon konflikte mes komuniteteve për qasje të barabartë në ujë. Ndërtimet pa leje, prerjet ilegale të pyjeve dhe nxjerrja e zhavorrit po dëmtojnë strukturën natyrore të pellgut, përkeqësojnë cilësinë e ujit dhe rrisin rrezikun e përmbytjeve, thuhet në postimin e ‘Ec Ma Ndryshe’.

Rritja e temperaturave dhe ndryshimet në ciklin e reshjeve po e bëjnë furnizimin me ujë më të paparashikueshëm, duke shtuar presionin mbi një sistem tashmë të brishtë. Banorët përgjatë Drinit të Bardhë përballen çdo vit me pasojat e përmbytjeve, mungesën e ujit për vaditje dhe ndotjen e ujit të pijshëm, që ka pasoja të drejtpërdrejta për shëndetin dhe ekonominë e tyre.

Plani i Menaxhimit të Pellgut Lumor Drini i Bardhë sugjeron ndërtimin e impianteve moderne të trajtimit të ujërave të zeza, forcimin e monitorimit të shfrytëzimit të ujërave, mbrojtjen e habitateve natyrore dhe sistemet e hershme paralajmëruese për përmbytje. Edukimi qytetar dhe përfshirja e shkollave në fushata ndërgjegjësimi janë gjithashtu pjesë e strategjisë për ndryshime të qëndrueshme.

Ekspertët e ‘Ec Ma Ndryshe’ theksojnë se Drini i Bardhë nuk ndalet në kufijtë e Kosovës dhe menaxhimi i tij kërkon bashkëpunim me Shqipërinë dhe Malin e Zi.

Zbatimi i masave të propozuara nuk është vetëm një rekomandim, por një domosdoshmëri për të siguruar që gjeneratat e ardhshme të kenë qasje në ujë të pastër, natyrë të shëndetshme dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.