Shqipëria ka miratuar ndërtimin e dy centrale fotovoltaike, një në Ersekë dhe një në Fier, duke u hapur rrugë zgjerimeve të investimeve të rëndësishme në energjinë e gjelbër.
Vendimi i Këshillit të Ministrave i jep shoqërisë “MET INVEST” sh.p.k. të drejtën për të ndërtuar dhe vënë në punë një central gjenerues të energjisë elektrike me kapacitet të instaluar 30 MW, në njësinë administrative Qendër Ersekë, Bashkia Kolonjë, Qarku Korçë.
Ndërkohë një tjetër central fotovoltaik me kapacitet të instaluar prej 8.8 MW do të ndërtohet nga shoqëria “IDI 2005” sh.p.k., në zonën kadastrale 3038, fshati Povelçë, njësia administrative Dërmenas, Bashkia Fier.
Projektet, të cilat nuk janë objekt koncesioni dhe nuk përfitojnë nga masat mbështetëse shtetërore, pritet të përfundojë brenda 36 muajve nga hyrja në fuqi e vendimit. Pas përfundimit, centralet do të operojnë për një afat prej 49 vitesh.
Sipas vendimit, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore do të kryejnë kontrolle të rregullta çdo tre muaj për të siguruar që punimet dhe operimi të jenë në përputhje me projektin dhe standardet e miratuara.
Nga ana tjetër, shoqëritë kanë detyrim të raportojë periodikisht mbi ecurinë e ndërtimit, të respektojë të gjitha lejet dhe autorizimet mjedisore, të dorëzojë një sigurim kontrate prej të paktën 5% të vlerës së investimit, si dhe të garantojë një kontribut konkret për shtetin. Ky kontribut përfshin dhënien falas, në formë royalty, të 2% të prodhimit vjetor të energjisë elektrike ose të ekuivalentit të saj monetar në buxhetin e shtetit. Gjithashtu, sipas ligjit, një pjesë e energjisë së prodhuar do t’i shitet furnizuesit publik.
Vendimet hyjnë në fuqi menjëherë dhe janë botuar në “Fletoren Zyrtare”.