Rreth 1.2 mln mWh energji u tregtua në Bursën Shqiptare të Energjisë Elektrike gjatë 8-mujorit të këtij viti, teksa vlera e transaksioneve përllogaritet në rreth 141 mln euro. Sipas të dhënave të Tregut të Ditës së Avancës, të raportuara nga ALPEX çmimi mesatar u regjistrua në rreth 119 euro/ mWh, një çmim 23% më i lartë se 8 – mujori i vitit të kaluar, ku çmimi mesatar për të njëjtën periudhë ishte 97 euro/mWh. Po ashtu, të dhënat tregojnë se ka një rritje me 32% të volumit të energjisë së tregtuar në bursë, në raport me periudhën janar – gusht 2024.
Ndërkaq, ALPEX ka raportuar edhe shifrat e Tregut të Ankandeve Brenda së Njëjtës Ditë, që nisën të zhvillohen në dhjetor të vitit të kaluar. Kështu, për periudhën janar – gusht një volum total prej 9430 mWh i energjisë elektrike u tregtua në këtë treg të ALPEX-it, me një çmim klerues mesatar prej 153.4 euro/mWh.
Vetë ALPEX e ka konsideruar nisjen e zhvillimit të ankandeve brenda së njëjtës ditë një arritje dhe hap të rëndësishëm përpara në tregun rajonal të energjisë elektrike, duke forcuar tregtinë ndërkufitare dhe integrimin e tregjeve. Sipas APLEX, tashmë Shqipëria dhe Kosova kanë dhe një mekanizëm shtesë tregu, të njëjtë me ato të vendeve të Bashkimit Evropian, duke i vendosur këto tregje pararendës brenda Komunitetit të Energjisë.
Bursa Shqiptare e Energjisë Elektrike menaxhon dhe operon tregut e organizuar me shumicë të energjisë elektrike për zonat e ofertimit të Shqipërisë dhe Kosovës.